Gazetar: Miki Trajkovski
Në vend që të zgjidhet problemi me 21 punonjëset që me vite janë të angazhuara me kontratë në vepër për vetëm 10.000 denarë, në çerdhen e Strugës ka vazhduar përsëri praktika e kontratave të përkohshme. Alsat mëson se të punësuarit kanë marrë sërish kontrata në vepër në vend të punësimit. Këtë herë, sipas administratës së çerdhes, arsyeja për këtë janë zgjedhjet.
“Duke marrë parasysh faktin se kemi procese zgjedhore parlamentare dhe presidenciale, të gjitha kërkesat për marrjen e pëlqimeve për punësim në të gjitha institucionet janë pezulluar”, deklaroi Sanja Koleska Srboska, Drejtoreshë e çerdhes.
Sipas informacioneve të Alsat-it, një punëtore tashmë është larguar nga çerdhja dhe ka shkuar për të punuar në çerdhen e Vevçanit. Nga Sindikata paralajmërojnë se do të mbeten pa kuadër.
“I bëjmë thirrje komunës dhe ministrive kompetente që sa më shpejt ta zgjidhin problemin sepse realisht ekziston nevoja për zgjidhjen e statusit të punës së kolegeve të përkohshme. Nuk është zgjidhje ajo, por në komunën tonë ka vite që është kështu. Pa atë kuadër, ne nuk mund të punojmë në të ardhmen”, tha Milka Dolinska – Sindikata e kopshtit.
Ndryshe, në muajin shkurt, inspektorati shtetëror i punës dha një paralajmërim për kopshtin për të ndaluar praktikën e punësimit të përkohshëm të kuadrit. Është urdhëruar që të zbatohet procedura me të cilën personat do të punësohen në pajtim me Ligjin e të Punësuarve në Sektorin Publik.
Por derisa të zgjidhet ky problem, autoritetet lokale në Strugë e kanë rritur çmimin e kopshtit për 500 denarë. Tani prindërit e më shumë se 250 fëmijëve në vend të 1500 denarëve do të paguajnë nga 2000 denarë. Vendimi i tillë ka marrë dritë jeshile nga shumica në këshillin komunal të BDI-së dhe LSDM-së, dhe ndaj këtij vendimi ka reaguar opozita.
“Komuna duhet të jetë e përgjegjshme në aspektin shoqëror dhe të ulë shpenzimet joproduktive, në mënyrë që të zvogëlojë diferencën e çmimit dhe të ndihmojë çdo prind…”, u shpreh Elisaveta Koçoska Veljamoska, këshilltare e VMRO-DPMNE-së.
Arsyetimi i çerdhes është se shërbimi është dashur të shtrenjtohet për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore. Ndryshe, vetë prindërit, ndonëse paguajnë kompensim mujor, çdo muaj nga mjetet e tyre sjellin në kopsht sapun, letër higjienike dhe letër kuzhine, si dhe dezinfektues. /Alsat.mk