Në intervistën me shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, deputeti Lulzim Basha është ndalur edhe në zhvillimet e fundit në parlament ku PD e PS kanë arritur një dakordësi, si dhe për problemet e brendshme të Partisë Demokratike.
Gjatë intervistës gazetari Arben Xhixho i thotë Bashës se shumica si e simpatizantëve, ashtu edhe të deputetëve janë me Sali Berishën, i cili kryeson dhe Partinë Demokratike.
E pikërisht këtij debati, Basha ka dashur ti shmangej në intervistë, duke thënë disa herë se nuk do të fliste për numra.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, këto ditë ka patur një përpjekje për dakordësi mes shumicës socialiste dhe shumicës së deputetëve demokratë që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha për të rikthyer normalitetin në jetën parlamentare. Cili është komenti juaj, reagimi juaj për këtë zhvillim të ri?
Lulzim Basha: Për çdo zhvillim në Shqipëri, standardi i ri i një kulture të re politike, që ne si Parti Demokratike aspirojmë ta ndërtojmë në dialog me gjithë shoqërinë është përgjigja ndaj një pyetjeje: A i shërben shqiptarëve dhe si u shërben shqiptarëve? Nisur nga zhvillimet e fundit në Shqipëri, mund të them që paralajmërimet tona prej kohësh kanë treguar që zoti Rama dhe zoti Berisha bashkëpunojnë për interesat e tyre, por kundër interesave të shqiptarëve.
Zëri i Amerikës: Kundër cilave interesa në këtë rast?
Lulzim Basha: Reformës zgjedhore, në veçanti. Ne kemi një kohë të gjatë që kemi paraqitur në komisionin e reformës zgjedhore propozime, të cilat shkojnë përtej interesave partiake, por janë në interes të qytetarëve. Të tillë janë propozimi për listat e hapura; që qytetarët të zgjedhin vet se cilin do të dërgojnë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është zhbërja ‘de facto dhe de jure’, nëse propozimi do të adoptohej, i ndryshimeve kushtetuese Berisha – Rama të vitit 2008. Po kështu është propozimi ynë për barazinë e votës, sepse sot në Shqipëri, falë këtij sistemi është e qartë se nuk ka barazi vote. Me 8 mijë e 500 vota zgjidhet deputeti në Vlorë, por duhen 13 mijë e 500 vota për të zgjedhur deputetin në Kukës. Të dy këto lidhen me dy propozime të tjera që kanë të bëjnë me vendime të Gjykatës Kushtetuese si vota e diasporës, vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë,
Zëri i Amerikës: Pas shpalljes non-grata të zotit Berisha ju e përjashtuat atë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por ju nuk arritët të mbanit partinë të bashkuar. Si e shpjegoni faktin që sot shumica e Partisë Demokratike mbështet zotin Berisha?
Lulzim Basha: Unë nuk do të futem në një debat numerik, i cili gjithsesi bazohet mbi perceptimet e një pale, apo një tjetre. Dua të them se të luftosh për të vërtetën, të luftosh për të drejtën vjen me sakrifica dhe me kosto të mëdha. Por të mos luftosh për to është krimi më i madh kur je në shërbim publik, në shërbim të qytetarëve, kur je në politikë, sepse praktikisht dëmton interesat e tyre, varros shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri. Politikanët kryesorë në një teatër të sinergjizuar me njëri tjetrin, faktikisht kanë vrarë shpresën në Shqipëri, dhe problemi kryesor i shqiptarëve është që sot ata nuk besojnë tek institucionet demokratike dhe tek proceset zgjedhore. Ndaj misioni ynë kryesor është që të kthejmë besimin tek politika, si një instrument ndryshimi për të mirë, tek politika me fytyrë njerëzore, tek politika që mbron dhe promovon interesat e njerëzve dhe jo të një grushti politikanësh, që kanë 34 vjet, që nga rënia e komunizmit që urdhërojnë shqiptarët dhe vendosin për fatet e tyre.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, shifrat nuk mund të anashkalohen lehtë. Numri i deputetëve, që iu mbështetin ju është më i vogël se numri i deputetëve, që mbështesin zotin Berisha. Siç u pa edhe me zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, numri i votave për këtë krah të Partisë Demokratike ishte më i madh se pjesa tjetër…
Lulzim Basha: Prandaj nuk dua të futem në debate numrash, sepse në rastin e Partisë Demokratike, ajo nuk kandidoi në 51 bashki…
Zëri i Amerikës: Pyetja është …
Lulzim Basha: … ndërkohë që përsa i takon numrit të deputetëve, ata janë individë, që janë aty, sepse kanë qenë në një listë të mbyllur emërore të renditur nga kryetari i partisë, prandaj mendoj që t’i ikim debatit mbi numrat.
© SYRI.net