2.85 miliard euro para krimi dhe droge pastrohen përmes sektorit të ndërtimit në Shqipëri, veçanërisht në kryeqytetin e vendit Tiranë. Kështu shkruan prestigjiozja britanike “The Sunday Times”, e cila I ka kushtuar një artikull të zgjeruar pastrimit të fluksit të parave të drogës nga baronët e krimit. Artikulli ndalet edhe te rreziku I një flluske, shpërthimi I të cilës mund të ketë pasojë shkatërrimtare për ekonominë. Në artikullin e Times evidentohen fakti sesi baronët e drogës ndikojnë politikën në Shqipëri përmes blerjes së votave.
Një ndër mediat kryesore britanike, The Times, I ka kushtuar një artikull të zgjeruar pastrimit të parave të krimit dhe drogës përmes sektorit të ndërtimit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Shkrimi I gazetarit Tom Kington nis me një përshkrim të kullave të cilat po pushtojnë Tiranën dhe më pas fokusohet tek burimi I errët I financimit të këtyre ndërtimeve pa fre.
“Është e vështirë të llogaritësh pastrimin e parave, por shpesh duhet vetëm të numërosh vinçat dhe Tirana është vendi për ta bërë këtë”, tha Antonio Nicaso, një ekspert dhe autor i mafies.
Paratë derdhen nga Belgjika, Spanja, Holanda dhe Amerika e Jugut. Qindra miliona paund vijnë gjithashtu nga Britania e Madhe, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit të Britanisë. Kushdo që blen kokainë në Britani ka shumë të ngjarë të ndihmojë në shndërrimin e Tiranës në një Dubai në miniaturë.
Më tej artikulli, duke ju referuar edhe investigimeve të gazetarëve vendas, ndalet në sasitë miliarda euroshe të cilat pastrohen përmes ndërtimeve në Tiranë, ku 2.85 miliard euro janë para të errëta.
Sasia e parave që qarkullon nga librat është marramendëse. Rreth 3.7 miliardë euro në vit investohen në ndërtimin dhe pronat shqiptare, sipas Ola Xamës, një gazetare investigative e biznesit që ka punuar me Transparency International. Kjo është 15 për qind e PBB-së. Xama mësoi se nga kjo shumë, vetëm 847 milionë euro kalojnë në sistemin bankar.
“Kjo do të thotë se 2.85 miliardë euro janë para të errëta, madje edhe duke llogaritur remitancat nga emigrantët dhe faktin që Shqipëria është një ekonomi me para në dorë, unë vlerësoj se 1.3 miliardë euro janë para të drogës,” tha Xama.
Paratë e pista kanë nxitur kërkesën për prona në Tiranë, me çmimet e apartamenteve që u rritën nga 1000 euro për metër katror në 2017 në rreth 4000 euro sot. Oferta tani tejkalon kërkesën dhe shumë banesa mbeten të pashitura, megjithatë çmimet nuk tregojnë shenja rënieje.
Artikulli citon ish-kandidatin e opozitës për Bashkinë e Tiranës Belind Këllici I cili thekson se paratë nuk po futen vetëm në blerjen e banesave, por edhe në blerjen e firmave që i ndërtojnë ato.
“Kjo është arsyeja pse këtu ka kompani që fitojnë leje për të ndërtuar ndërtesa me vlerë dhjetëra milionë euro, por të cilat kanë vetëm një kapital të listuar prej 1,000 €,” tha ai. “Tirana kishte 8 mijë apartamente bosh në 2015. Që atëherë janë dhënë leje për dhjetë milionë metra katrorë ndërtim dhe tani kemi 40 mijë. Megjithatë çmimet po rriten dhe një çifti mesatar tani i duhen 64 jetë për të kursyer për të blerë një apartament të vogël.”
Artikulli ndalet më pas në lidhjet e forta mes grupeve kriminale shqiptare, fillimisht me mafian italiane të ‘Ndrangheta’, e cili I prezantoi shqiptarët me kartelet në Kolumbi dhe Ekuador dhe garantoi për ta”. Në artikull jepen dëshmitë e ekspertit për cështjet e mafias Antonio Nikaso dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani Pit Stivens të cilët flasin për fuqizimin e grupeve shqiptare dhe mënyrave që ata ndjekin për pastrimin e parave në Shqipëri.
Ndryshe nga Ndrangheta, e cila fsheh paratë e saj jashtë vendit dhe lë vendlindjen e saj Kalabrinë në varfëri, bandat shqiptare shpesh preferojnë t’i dërgojnë fitimet e tyre në shtëpi duke përfituar nga kontrollet e dobëta dhe nga ekonomia e parave kesh.
“Grupet shqiptare të krimit të organizuar kanë akses të konsiderueshëm në tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, i cili është ende një biznes me para kesh”, tha Pete Stevens, zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare të Krimit. “Ata janë përgjithësisht shumë të shpejtë për të zhvendosur të ardhurat e tyre në Shqipëri për investime ose për t’i fshehur ato në mënyrë të sigurt nga autoritetet.”
Në artikullin e Times evidentohen fakti sesi baronët e drogës ndikojnë politikën në Shqipëri përmes blerjes së votive.
Paratë e pista kanë depërtuar si në ekonominë shqiptare ashtu edhe në politikën e saj, pasi baronët e drogës blejnë vota për 50 euro në emër të politikanëve miq.
Pëllumb Gjoka, një biznesmen i shpallur dikur një “investitor strategjik” nga qeveria shqiptare me miratim për të ndërtuar një resort 52 milionë euro në bregdet, u arrestua nga SPAK vitin e kaluar me dyshimin se kishte porositur goditje mafioze.
Në artikullin e Times theksohet se po rritet rreziku i një flluske sa I përket strehimit dhe bashkë me të edhe potenciali për shkatërrim në ekonominë e vendit. Artikulli citon gazetarin Klodian Tomorri I cili shprehet se nëse kjo flluskë shpërthen, pasojat do të jenë rritje e kredive me probleme, falimentim i firmave të ndërtimit, humbja e investimeve për pronarët e shtëpive dhe një recesion i mundshëm.
© SYRI.net