Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar , ka rrëzuar kërkesën e Sokol Mjacajt për heqjen nga regjimi i posaҫëm i ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë (41 bis).
“Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”,njofton GJKKO.
Njoftimi i GJKKO
- Kërkuesi, Sokol Mjacaj, më datë 03.01.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Kundërshtimin e udhërit Nr. 685, datë 15.12.2023 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaҫëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Sokol Mjacaj”.
- 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 471 të K.Pr.Penale, me vendimin 25, datë 25.03.2024, vendosi:
- Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Sokol Mjacaj.
- Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të kërkuesit.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, u transferua në regjimin 41 bis në dhjetor të vitit të kaluar. Ai vuante dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, për vrasjen e dy turistëve çekë në fshatin Prekalë të Shkodrës.
Udhëri për vendosjen e Sokol Mjacajt në regjimin 41 bis, u dha nga ministri i Drejtësisë.
“Asnjë tolerancë! Do të zbatoj me rigorizitet ligjin. Mesazhi im është i prerë: Të dënuarit që cënojnë sigurinë e institucionit apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal do të përballen me pasojat, menjëherë në regjimin e posaçëm 41/b, pavarësisht emrit apo veprës për të cilën janë dënuar!”- ka deklaruar ai.
Vulosja e burgimit të përjetshëm
Në Dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e tij për të përfituar gjykim të shkurtuar. Si gjykata e shkallës së parë Shkodër, ashtu edhe nga Apeli, e kishin hedhur poshtë këtë kërkesë të tij, ndaj në tetorin e 2022, ai çoi çështjen në Kushtetuese me pretendimin se i ishte cënuar e drejta për një proces të rregullt ligjor.
Sokol Mjacaj pretendonte se kjo është nje e drejtë ligjore e tij dhe duhet të përftonte prej saj. Por Kushtetuesja vendosi të mos e shqyrtonte cështjen ne seancë plenare, duke shuar shpresat e Mjacaj, për të shpëtuar nga burgimi i pëjetshëm.
Gjykata vendosi se cështja nuk mund të zgjidhej me aktet që ndodheshin në dosje, por ishte e nevojshme të shqyrtoheshin provat gjatë një procesi të zakonshëm.
Nëse pranohej kërkesa e tij, ai mund të synonte rrëzimin e dënimit me burgim të përjetshëm, pasi pranimi i gjykimit të shkurtuar, do i mundësonte uljen e një të tretës së dënimit.
Vrasja e dy turistëve
Michael Svatos, 27 vjeç dhe Ana Kosinova, 36 vjeçe, mbetën të vrarë nga sulmi i grabitësit mbrëmjen e 4 korrik të vitit 2015. I riu u kërkonte t’i dorëzonin paratë dhe makinën “Nissan” me targa çeke. Autori u kap pas negociatave me policinë, ndërkohe që ishte futur në një banesë në Grudë.
“Hyra me forcë në makinën e çekëve. Doja t’u merrja makinën, por ata nuk kuptonin ose bënin sikur nuk kuptonin. Kur djali tentoi të më merrte armën e qëllova. Fillimisht atë e më pas gruan”, ka deklaruar 27-vjeçari pas arrestimit.
Ndërsa gjatë seancave gjyqësore i kërkoi mëshirë trupit gjykues: “Unë doja vetëm t’i grabisja, nuk kisha qëllim t’i vrisja. Djalin e vrava pasi donte të më merrte armën, kurse vajzën e kapi plumbi në kohën që makina po rrokullisej.”