Partia e Ahmetit nuk ka bërë asnjë koment për thirrjet nxitëse dhe kërcënimet e Gruevskit nëse LSDM dhe BDI formojnë qeverinë e re. Integristët kanë zgjedhur të heshtin për deklaratat e ish partnerit të tyre kundër dygjuhësisë dhe akuzave se po përmes platformës së përbashkët partitë shqiptare dhe Zaevit po tentojnë të zhbëjnë karakterin unitar dhe e çojnë vendin drejt federalizmit. Një ditë më parë kreu i VMRO-së, u shpreh i gatshëm të mbështesë një qeveri të pakicës që do të drejtohej nga LSDM-ja nëse kjo e fundit nuk pranon platformën e përbashkët të shqiptarëve. Këto mesazhe antishqiptare të Gruevskit, nuk kanë habitur Lëvizjen Besa.
“Aspak nuk është për tu habitur qëndrimi i Gruevskit. Ajo në fakt që është për tu habitur është se BDI-së iu dashtën më tepër se dhjetë vite bashkëqeverisje me Nikolla Gruevski që ta kuptojë se çfarë është ai. Nga ana tjetër parashtorhet një pyetje, për çfarë kanë qeverisur dhe në bazë të çfarë kanë qeverisur me një person i cili ka aq shumë qëndrime anti-demokratike dhe anti-shqiptare. Unë mendoj se tanimë ka hyrë në një proces të demokratizimit dhe Maqedonia si shtet por edhe partitë shqiptare kanë kapacitete mjaftueshme të kontribuojnë në këtë demokratizimin e shtetit dhe shoqërisë”, deklaroi Orhan Murtezani, Lëvizja BESA.
Nga Aleanca për Shqiptarët thanë se fjalimi i fundit i Gruevskit është vetëm edhe një dëshmi për qëndrimin e tij antishqiptar dhe këtë partitë shqiptare duhet të përjashtojnë çdo mundësi bashkëpunimi në të ardhmen me udhëheqësin aktuale të VMRO – DPMNE-në.
Për partinë e Zoran Zaevit, Nikolla Gruevski në dhjetë vitet e fundit nuk ka bërë asgjë tjetër, përveç se ka vjedhur shtetin, andaj sipas LSDM-së, ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të mbajnë përgjegjësi për krimet e bëra. Nga kjo parti hodhën poshtë trumbetimet e Nikolla Gruevskit se Maqedonia do të ndahet ose kantonizohet.
Një ditë më parë lideri i VMRO – DPMNE-së Nikolla Gruevski, tha LSDM-ja po punon për destabilizimin e Maqedonisë dhe nëse populli qëndron këmbëkryq, atëherë, ky skenar sipas Gruevskit, do të realizohet së bashku me kantonizimin e vendit. Njëkohësisht, Gruevski tha se në të ardhmen nuk do të jetë i obliguar të përkrahë parimin fitues me fitues, pasi që, ky parim nuk u respektua nga partia shqiptare fituese në zgjedhje.