Të akuzuar për “korrupsion”, GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë për 9 zyrtarët e Bashkisë së Tiranës

GJKKO ka dhënë masa e sigurisë për 9 zyrtarët e Bashkisë së Tiranës, të cilët dyshohen për veprën penale të ‘korrupsionit’ në lidhje me të ashtuquajturën “Dosja 5D


Më herët seanca është ndërprerë pasi avokatët kërkuan kohë për t’u njohur me dosjen.

Ish-drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë, Mariglen Qato, ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla, si edhe për Taulant Tushën, është lënë në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg”

GjKKO la në fuqi dhe masat e sigurisë “detyrim paraqitje” për:

Eglantina Zere
Enton Punavia
Deborah Keçi
Nestor Muhametllari
Julian Zanaj
Albano Janku

SHKELJET SIPAS SPAK

SPAK bën me dije se nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që Redi Molla ka ushtruar funksionin e drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a.

Në këto procedura prokurimi, Molla ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Njësisë së Prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni Mariglen Qato që është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, si dhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që Qato ka ushtruar funksionin e drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi. Në këto procedura prokurimi shtetasi Qato ka pasur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.

Janë krijuar dyshime të arsyeshme se Taulant Tusha në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik. Ekzistojnë dyshime të bazuara se Taulant Tusha. ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe ka favorizuar këtë shoqëri tregtare duke ditur se cilët persona kanë qenë zotëruesit indirekt të aksioneve të shoqërisë.

Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja E.Z. ka pasur komunikime direkte me Nestor Muhamellarin administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.

Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Deborah Keçi ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor Muhamellarit, user-at e anëtarëve të KVO-së.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme