Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit Hetimor lidhur me punën e Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ku njëra ndër pikat e rendit të ditës ishte hartimi i planit të punës së komisionit.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, Jeta Statovci, Ariana Musliu Shoshi, Gazmend Gjyshinca, Haxhi Avdyli, Hisen Berisha, Time Kadrijaj, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Fitore Pacolli-Dalipi, Vlora Dumoshi, Rrezarta Kryeziu, etj.
Ndërsa, në propozimin për këtë komision që Kuvendi e kishte miratuar me 7 mars 2024 listohen edhe 16 pyetje për të cilat ky komision do të përqendrohet në punën e tij.
Pyetjet kërkojnë të marrin përgjigje se mbi cilën bazë ligjore është bërë fuzionimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme me atë të Diasporës, mbi çfarë baze ligjore janë lidhur kontratat për angazhim të këshilltarëve të jashtëm, mbi çfarë baze ligjore janë përjashtuar diplomatët e pranuar me konkurs në vitin 2011, mbi çfarë baze ligjore janë transferuar diplomatët nga një mision në tjetrin, a janë përmbushur kriteret për transferimin e zyrtarëve publik në pozita udhëheqëse në MPJD, si janë realizuar transferimet zyrtarëve brenda MPJD-së, a janë respektuar afatet ligjore nga Komisioni i Gradave dhe Disiplinës dhe pyetje të tjera.