Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për gazetën gjermane “Handelsblatt”, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret BE-së për liberalizimin e vizave dhe se kjo është mundësia e fundit që Brukseli zyrtar t’i japë dritën jeshile qytetarëve të Kosovës.
“Është mundësia e fundit për Brukselin për të marrë vendimin pozitiv për vendin tonë. Fatkeqësisht në BE nuk ka ndonjë vizion për të ardhmen e shteteve të Ballkanit Perëndimor,” ka thënë Thaçi, duke shtuar se çdo vendim tjetër do të krijojë vakum dhe parakushte për ideologji, të cilat janë anti-evropiane.
Në pyetjen se a ndihen të braktisur nga Evropa, presidenti Thaçi ka thënë se mungesa e vizionit të BE-së është duke krijuar pakënaqësi me BE-në dhe se vazhdimi i izolimit të qytetarëve të Kosovës do ta rrisë pakënaqësinë dhe nacionalizmin në rajon.
“Unë nuk shoh ndonjë vizion apo plan B në Bruksel. Do të kenë efekte negative për krejt rajonin. Acarimet në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së fundi janë rezultat konkret i vonesave të paarsyeshme në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, për të cilën BE-ja është fajtore”, ka shtuar ai.
Thaçi ka thënë se BE-ja ka ndryshuar dhe nuk është ajo që ka qenë para Brexitit. Sipas tij, shumica e shteteve tashmë janë duke shikuar sesi ta forcojnë vetveten, meqë BE-ja është mbyllur hermetikisht për Kosovën dhe Ballkanin. /albeu.com/