Gazetar: Miki Trajkovski
Gjithnjë e më pak ka interesim për regjistrim në gjimnazet në Strugë dhe Ohër. Ky trend ndikon në uljen e orëve të personelit. Si pasojë, se një pjesë e mësimdhënësve druajnë se mund të mbeten pa punë në të ardhmen. “Po mundohemi t’i shpëtojmë vendet e punës, por deri kur – nuk e dimë”, shprehet drejtoresha e gjimnazit të Strugës, Besime Jonuzi.
Në këtë situatë ndikon edhe parakushti për mesatare të lartë të regjistrimit në shkollat e mesme gjegjësisht minimumi prej 60 pikëve. Në gjimnazin “Ibrahim Temo” në Strugë në tre vitet e fundit numri i nxënësve është zvogëluar për 50. Në gjimnazin e Ohrit, nga ana tjetër, këtë vit shkollor ka paralele me vetëm 15 nxënës.
“Mendoj se këtu ka ndikim të madh promovimi nga shteti dhe organet më të larta, kur morën qëndrim që të regjistrohen në arsimin dual dhe mos të regjistrohen në gjimnaz. Mendoj se i është bërë dëm shkollave të mesme në shtet dhe ne jemi të prekur nga ky problem”, u shpreh Svetllana Vellkoska- drejtoreshë e shkollës së mesme “Shën Klimenti i Ohrit”- Ohër.
Nëse dikur në gjimnazin e Ohrit regjistroheshin 200 nxënës, tani ky numër është vetëm 100. Këtë vit ka edhe një klasë më pak. Përveç uljes së interesit për arsimin e mesëm, arsye shtesë për numrin më të ulët të nxënësve është shpërngulja dhe ulja e natalitetit./Alsat.mk