Eksportet shqiptare shënuan nivelin më të ulët në tre vjet gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ndërsa deficiti shënoi nivelin më të lartë në katër vjet, bëhet e ditur nga të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Instituti i Statistikave.
Nga Gjergj Erebara, BIRN
Eksportet e mallrave ranë me 23 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, në nivelin e 95 miliardë lekëve, bëhet e ditur nga bilanci i tregtisë së jashtme që u publikua të mërkurën nga Instituti i Statistikave. Rënia vjetore me 23% u shkaktua nga rënia në eksportet e tekstileve dhe këpucëve dhe të sektorit të energjisë. Eksportet këtë tremujor janë më të ulëtat e shënuara që nga tremujori i parë i vitit 2021.
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, sektori më i goditur nga fenomeni i forcimit të pazakontë të lekut kundrejt euros, shënuan rënie vjetore në masën 25.2%. Qeveria ka pranuar se sektori, i cili është aktualisht një faktor i rëndësishëm në punësim, veçanërisht në zonat rurale apo qytezat e vogla ku fabrikat e veshjeve dhe këpucëve janë zhvendosur në masë gjatë dekadës së fundit, po përjeton një krizë të shkaktuar nga kursi i këmbimit dhe ka miratuar një paketë kredish pa interes në masën 40 milionë euro, paketë kjo që nuk dihet nëse mjafton për të kompensuar humbjet nga kursi i këmbimit.
Këtë tremujor rënie pësoi edhe eksporti i ushqimeve, i cili ka qenë përgjatë viteve të fundit sektori më me rritje në eksporte. Rënia gjithsesi në këtë rast ishte vetëm 1%, shifër kjo brenda faktorit të kursit të këmbimit.
Në tremujorin e parë importi i mallrave ishte në të njëjtin nivel me një vit më parë, gjë që sugjeron se rritja dramatike e numrit të udhëtarëve të huaj nuk është konvertuar në ndonjë rritje të konsumit.
Por rënia e eksporteve përkundrejt importeve në nivele të njëjta bëri që deficiti tregtar i vendit të rritet në 114 miliardë lekë ose më shumë se 1.1 miliardë euro. Ky është deficiti tregtar më i lartë që ka njohur vendi në shumë vite.