Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell thotë se nuk është bërë përparim drejt një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe situata humanitare në enklavë mbetet një “katastrofë”.
Mbrojtja Civile Palestineze ka thënë se ka zbuluar 283 trupa nga një varr masiv brenda mjediseve të spitalit Nasser në Khan Younis.
Vendi i varrimit të përkohshëm u përdor kur forcat izraelite po sulmonin objektin në një rrethim të dytë në mars, sulm që e bëri spitalin jo funksional.
Pasi ushtria u tërhoq nga Khan Younis në fillim të këtij muaji, banorët janë kthyer në vend në kërkim të trupave të të dashurve të tyre.
“Kam ardhur këtu për ditën e pestë duke kërkuar trupin e djalit tim Jamal”, tha nëna e një djali të zhdukur, Jamal-Eddin Abu al-Ola. “Ata na thanë se këtu ishte një varr masiv dhe çdo ditë vija këtu për të identifikuar trupin, por fatkeqësisht nuk e gjeta djalin tim.”
Ndërkohë, në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg, shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borell dha një vlerësim të zymtë të statusit të bisedimeve të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
“Nuk ka asnjë perspektivë për një armëpushim dhe nuk ka lehtësim real të katastrofës humanitare,” tha ai. “Më vjen keq të them, nuk ka përparim në asnjërën prej tyre, përparim domethënës.”
Bisedimet për armëpushimin dhe shkëmbimin e të burgosurve kanë vazhduar në Kajro prej javësh, por nuk kanë dhënë shumë rezultate.
Javën e kaluar Hamasi hodhi poshtë një armëpushim të propozuar nga Izraeli, duke përsëritur kërkesat kryesore të tij janë tërheqja e plotë e ushtrisë izraelite nga Gaza, kthimi i banorëve të zhvendosur dhe rindërtimi.
Izraeli thotë se prioriteti i tij është kthimi i pengjeve që ende mbahen nga Hamasi në Gaza.
Izraeli shkëmbeu të burgosurit palestinezë me pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi në Gaza në një armëpushim të nëntorit, por që atëherë, të gjitha përpjekjet për të vendosur një pauzë tjetër humanitare kanë dështuar.
© SYRI.net