Telefonata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me drejtuesin e rrjetit publik italian RAI, ka skandalizuar jo vetëm gazetarët, por edhe politikën e këtij vendi.
Komisioni parlamentar i medias, që njihet edhe si Komisioni për Mbikëqyrjen e RAI-t, e quan këtë telefonatë të Ramës, një ndërhyrje të papranueshme dhe flagrante në lirinë e medias.
Për kryetaren e Komisionit Mbikëqyrës të Rai-t, Barbara Floridia, “është paradoksale që një shef i huaj qeverie ndërhyn drejtpërdrejt tek një menaxher i shërbimit publik pasi është përmendur në një investigim gazetaresk. Edhe nëse kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të besonte se ai ishte dëmtuar në një farë mënyre nga investigimi i ‘Report’, kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë te Rai”.
Akoma më të ashpër ishin tre anëtarë të këtij komisioni, Dario Carotenuto, Dolores Bevilacqua dhe Anna Laura Orrico.
“Sikur të mos mjaftonte presioni i qeverisë së Melonit ndaj transmetimeve të ‘Report’, tani janë përfshirë edhe krerët e qeverive të shteteve të huaja si kryeministri shqiptar Edi Rama. Le t’i bëjmë Giorgia Melonit një pyetje të thjeshtë: a është normale sipas jush që një drejtues i televizionit publik të kontaktohet drejtpërdrejt nga kryeministri shqiptar për t’u ankuar për një raport gazetaresk? A nuk mendoni se duhet të ndërhyni personalisht për të shmangur atë që duket si një ndërhyrje e panevojshme e kryeministrit shqiptar në lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gazetarisë italiane? Nëse i intereson vërtet, siç pëlqen ta thotë shpesh, “sovraniteti i kombit”, le t’i flasë mikut të tij Rama dhe t’i thotë se Italia nuk duron dot ngjarje të tilla. Sa i përket RAI-t, kërkojmë që të zbardhet çdo detaj i kësaj çështjeje”, thuhet në deklaratën e tyre.
© SYRI.net