Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida tabaku, ka analizuar paraqitjen e Erion Veliajt sot në SPAK, është shprehur se ai nuk mund të fshihet më pas gishtit dhe do të përgjigjet dhe të sqarojë përpara prokurorëve të SPAK, rolin e tij në aferën e inceneratorëve.
Ish-kryetare e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, dy vite më parë, Tabaku thotë se Veliaj u paraqit si një nga dëshmitarët e shumtë të aferës korruptive të 430 mln eurove e nën betim, ku mohoi dhe gënjeu mbi rolin e tij. Por e vërteta ndonëse vonon, kurrësesi nuk harron.
Gjithashtu, Tabaku shprehet; “të mendosh që firma e tij e hedhur për një procedurë të pamiratuar nga Këshilli Bashkiak sikundër dhe angazhimi tij financiar për një projekt me vlerë 90 mln euro, që nuk i kishte buxheti dhe nuk qenë miratuar në KB, është vetëm maja e ajsbergut të instalacionit të korrupsionit”.
“Jetojmë në një kohë ku integriteti dhe transparenca e të zgjedhurve në poste publike duhet të jenë të panegociueshme, Prandaj hapat që hedh sot Erjon Veliaj drejt hetuesve dhe prokurorëve, nuk duhet të jenë çudi; janë më se të mirëpritur dhe kujtesë për këdo se korrupsioni që është kthyer në “oksigjenin” e qeverisjes lokale dhe qendrore nuk mund të tolerohet më.
Pavarësisht se u përpoq ta servirte fletëthirrjen si një procedurë rutinë se u fsheh pas gjoja “bashkëpunimit” me godina si një i frikësuar, Erion Veliaj nuk mund të fshihet më pas gishtit dhe do të përgjigjet dhe të sqarojë përpara prokurorëve të SPAK rolin e tij në aferën e inceneratorëve.
Dy vite më parë, me prova dhe fakte provuam se si është ndërtuar dhe si funksionon instalacioni i korrupsionit të inceneratorëve. Një skemë që tregon qartazi se si keqpërdoren taksat e shqiptarëve dhe se si korrupsioni ka shkuar shumë lartë dhe thellë në venat e qeverisë, duke gërryer jo vetëm xhepat, por mbi të gjitha besimin e qytetarëve.
Sot dy vite më pas, testi i kthimit të besimit të publikut do të jetë vendosja e pikave mbi “i” për rolin e Erion Veliajt dhe përgjegjësinë e tij në firmosjen e një angazhimi financiar për mbi 90 mln euro në mungesë të legjitimitetit përderisa nuk mblodhi as Këshillin Bashkiak kur morri këtë angazhim që do paguhet nga qytetarët e Tiranës dy herë dhe as pyeti bashkitë e qarkut Tiranë kur firmosi në emër të tyre.
Do të duhet të dëshmojë se përse në Komision Hetimor në mënyrë arrogante dhe flagrante pohonte se ka një incenerator dhe i ka dhënë mbi 130 mln euro nga taksat e shqiptarëve dhe qytetarëve të Tiranës ndërkohë që pak muaj më parë me gjysmë zëri si një frikacak pranoi se inceneratori nuk ekziston dhe përgjegjës për zbatimin e atij projekti korruptiv është pikërisht ai.
Dhe të mendosh që firma e tij e hedhur për një procedurë të pamiratuar nga Këshilli Bashkiak sikundër dhe angazhimi tij financiar për një projekt me vlerë 90 mln euro, që nuk i kishte buxheti dhe nuk qenë miratuar në KB është vetëm maja e ajsbergut të instalacionit të korrupsionit.
Testi do të jetë sqarimi saktësisht i përgjegjësisë së kryebashkiakut Veliaj në përcaktimin e një tarife të pabazuar në asnjë ligj dhe në vendosjen e një monopoli “për plehrat” që i ka siguruar deri dy vite më parë 50 mln euro inceneratorit të Tiranës dhe që sot është shtuar edhe me dhjetë milionë euro ekstra; pasi ai “dheu” që merret nga këta ndërtues përdoret për inkapsulimin e mbetjeve dhe plehrave në landfillin e Tiranës pikërisht nga kompania e inceneratorëve. Që për këtë punë u merr ndërtuesve edhe 60 mln euro.
Do të duhet që të shpjegojë fije e për pe se si ka mundësi që njeriu që ishte krenar për projektin e inceneratorëve ka ndjekur punimet për ngritjen dhe zbatimin e kontratës që ai me aq zell e miratoi dhe që i kushtoi, së paku në letra, shqiptarëve mbi 300 mln euro.
Dhe së fundi, shpresoj që sot mos të gënjejë përpara SPAK ashtu siç bëri në Komisionin Hetimor dhe përpara qytetarëve. E di që kjo është pjesa më e vështirë e kësaj dite për të, por mbetet këshilla më e mirë drejtuar një njeriu që e ka më të lehtë të jetojë pa u ushqyer por jo pa gënjyer.
Ne i provuam dhe faktuam në dëgjesat e komisionit hetimor të inceneratorëve rolin e kujtdo, edhe të Ahmetajt që sot akuzohet nga SPAK dhe është në arrati. Me durim do të presim që të provohet përgjegjësia dhe njohuritë e Veliajt mbi këtë projekt. Sado të përpiqet, arroganca, mendjemadhësia dhe tonelatat e shpifjeve brutale që ai lëshoi edhe live në dëgjesën publike kur u vendos përpara fakteve dhe provave, nuk mund dhe nuk kanë si të jenë shpëtimi i tij.
Dita e sotme është një tjetër faqe e përpjekjes dhe luftës sonë në kërkim të një drejtësie që nuk mund të zhbëhet dhe as eklipsohet nga zhurma e propagandës apo kërcënimet që shpesh pushteti apo paraja e pisët që buron nga korrupsioni e kërcënojnë median dhe të vërtetën.
Hapat e ndërmarrë nga SPAK në hetimin e kësaj afere janë për tu inkurajuar, por shpresoj dhe uroj që të mos mbetet me kaq. Le të jenë këto hapat e para dhe jo të fundit në përpjekjen tonë për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe për t’i dhënë një përgjigje kujt rron prej shpifjes, kërcënimeve dhe blerjes përmes parave të atyre që mund të thonë të vërtetën.
Padiskutim që rruga përballë nesh është e vështirë dhe me sfida, por pa kurrëfarë hezitimi duhet të ndjekim këtë rrugë me vendosmërinë për të kërkuar llogaridhënie dhe transparencë. Mua mu desh të pres 6 vite nga dita e parë e këtij denoncimi për aferën 430 mln euro të inceneratorëve.
Mu desh të dëgjoja heshtjen bashkëfajtore në raste që të shoh dikë me pushtet të ecë drejt institucioneve të drejtësisë. Por gjithnjë kam besuar fjalët e shenjta se “Zoti i jep robit të tij hakun e merituar” dhe kur sot shoh këto skena mendoj se ka ardhur koha që drejtësisa të veprojë. Ia detyrojmë këtë qytetarëve që me të drejtë kërkojnë llogaridhënie dhe që prej kohësh kërkojnë prej nesh luftë të pakompromistë kundër korrupsionit dhe pasur një qeveri që jep llogari dhe ka frikë nga ligji.
Jo pak herë kam qenë e ndërgjegjshme që rezistenca e luftës ndaj korrupsionit do të jetë e madhe, por gjithmonë kam besuar se detyra ime, detyra e kujtdo që është votuar nga qytetarët, është të mos bëjë kurrë kompromise me të vërtetën. Për një gjë duhet të jeni të qartë, angazhimi dhe beteja ime kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë do të jetë e palëkundur!”.