Histori e shkruar me urrejtje

Nga Naser Selmani
Fëmijët dhe nxënësit e socializmit jugosllav janë viktimë e historisë së shkruar me urrejtje, e ku miqtë dhe armiqtë i përcaktonte Beogradi. Ata pra i mësuan të ‘vërtetat’ e shkruara me fjalorin e urrejtjes, e të cilat të ‘vërteta’ edhe sot e kësaj dite kanë ndikim në mendësinë e tyre. Siç kanë ndikim dhe në mendësinë e politikanëve të ardhur nga e djeshmja socialiste, e që sot ndërtojnë sistem demokratik në këtë Maqedoni e cila me shumë se cila do republikë tjetër e ish Jugosllavisë, e ka trashëguar gjenin e nënës që e lindi.
E ndërkohë mbetet e vërteta se mendësia nuk ndryshon me ndërrimin e sistemit shoqëror dhe të ligjeve, andaj autorët e teksteve shkollore në Maqedoni e Veriut, njësoj si dikur gjatë dekadave socialiste kur librat e historisë recensoheshin në Beograd, shqiptarët, bullgarët, turqit, grekët…, pra thuajse të gjithë popujt fqinjë përpos atij serb – që paraqitet si mbrojtës i maqedonasve – portretohen si armiq të përbetuar e të natyrshëm të popullit maqedonas, të cilët pamëshirshëm kanë grabitur tokat e këtij populli.
Këtë konstatim e vërteton anketa e sivjetme e Institutit Ndërkombëtarë Republikani, ku mbi 34 për qind e qytetarëve të anketuar e trajtojnë Serbinë si mikun më të madh të Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, 23 për qind e të anketuarve vlerësojnë se kërcënimi më i madhë vendit i vjenë nga Bullgaria. Si armike, Kosovën dhe Shqipërinë e trajtojnë 10, repsektivisht 9 për qind e të anketuarve. Këto përqindje përfshijnë të gjitha bashkësitë etnike në vend. Nëse ky disponim do të vlerësohej vetëm te sllavomaqedonët, që sipas regjistrimit të fundit në vititn 2023 përbëjnë 54 për qind të popullësisë, i bie që shumica dërmuese e maqedonëve e vlerësojnë Bullgarinë si vend armik, ndërsa çereku i tyre me sy të njejtë e shohin edhe Kosovën dhe Shqipërinë.
Poashtu, mbi 60 për qind e të anketuarëve janë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Kjo do të thotë se shumica dërmuese e maqedonëve janë kundër anëtarësimit në NATO sepse marrëveshja me Athinën mundësoj hyrjen në Aleancëën Veriatlantike dhe kundër normalizimit të marrëdhënieve me Sofjen, e cila është vendimtare për nisjen e bisedimeve për anëtarim në BE.
Se Maqedonia nuk i përjeton njësoj fqinjët e saj nuk flet vetëm historia e shkruar me urrejtje, por edhe realiteti i përditshëm i saj. Për shembull, në këtë vend nuk mund të festohet as kremte shtetërore as dasmë private pa këngët serbe te Cecës, por në programet muzikore të parapara për publikun maqedonas kurrë nuk mund të dëgjoni ndonjë këngë në gjuhën shqipe apo bullgare.
Dhe në mesin e qindra përmendoreve të ngritura nëpër vendbanimet e këtushme, si dhe mes atyre në qendër të Shkupit, e nëpërmjet të cilave është rindërtuar e shkuara e lavdishme e popullit maqedonas, mund të gjeni me dhjetëra shtatore të personaliteteve serbe, por nuk mund të gjeni asnjë nga e shkuara ilire, bullgare apo ajo e pesë shekujve Osmanë të këtyre hapësirave.
Në qendër të Shkupit nuk mungon as Shtëpia e Oficerëve, e ndërtuar mbi themelet e Burmali Xhamisë që e rrënuan serbët në vitin 1925. Shtëpi të cilën e rrënoi tërmetit i vitit 1963 por të cilën e rindërtuan demokratët e sotëm të Maqedonisë, mbase që t’ua rikujtojë ushtrinë serbe, të cilën, siç duket, ata kurrë nuk e kanë ndje si armiqësore, por përkundrazi si çlirimtare.
Dhe kur flitet për afërsinë e qarqeve maqedonase me ato serbe si dhe për mendësinë dominuese mes elitave maqedonase se armiq të natyrshëm të maqedonasve janë shqiptarët e bullgarët, duhet pranuar një të vërtet: dekada me radhë gjatë epokës socialiste, Beogradi ka investuar për ta mbjellë farën e antishqiptarisë dhe antibullgarizmit te disa gjenerata maqedonase. Për dallim nga Sofja e Tirana të cilat çdo gjë e kishin lënë në duart e rastësisë.
Dhe kjo veprimtari disa dekadëshe ka të bëjë së pari me investimet në sferën e artit, kulturës dhe arsimimit të gjeneratave të reja, e që i bënë shumë artistë dhe pjesëtarë të elitave të popullit maqedonas që edhe sot e kësaj dite, Beogradin, e jo Shkupin, ta ndjejnë si ‘kryeqytetin’ e promovimit të tyre artistik e kulturor. E në ndërkohë, Beogradi bëri çmos t’i rrënojë gjitha urat e bashkëpunimit kulturor mes Shkupit, Tiranës dhe Sofjes.
Po, fëmijët e ardhur nga e djeshmja komuniste, e që e ndërtojnë të sotmen demokratike të Maqedonisë kanë një problem të madhe me vetveten: mendësinë e dominuar nga të vërteta e shkruara me gjuhën e urrejtjes. E të cilat të vërteta kanë ndikim të madh edhe në përditshmërinë sotme të Maqedonisë së Veriut,
Andaj Maqedonia e Veriut do duhet ta pastroj vetveten nga plehu i këtyre të vërtetave, siç do duhet ta kuptojë se asaj nuk i vjen asnjë e keqe nga Tirana dhe Sofja, siç nuk i vjen asnjë e mirë e veçantë nga Beogradi i cili thuajse kurrë nuk ka heq dorë na ambiciet që të jetë kryeqendra e Ballkanit dhe Maqedoninë e Veriut ta përfshijë në kuadër të botës serbe. NS

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme