Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën Rexhep Rapit, i njohur edhe si Kep Arapi, i cili kishte kërkuar zbutjen e masës së sigurisë.
Më këtë vendim, GJKKO ka lënë sërish në burg, Arapin, i cili u arrestua me urdhër të SPAK pasi kishte organizuar një grup për të vrarë hasmin e tij, shtetasin, Xhevdet Plaku.
Ai kishte depozituar një kërkesë në Gjykatë duke kërkuar zbutje të masës së sigurisë për arsye shëndetësore.
Njoftimi:
1.Shtetasi nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi) ka paraqitur pranë Gjykatës më datë 31.01.2024 kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2.Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenin 260 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 83, datë 13.05.2024, vendosi:
3.Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi), me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pambështetur në ligj dhe prova.
4.Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
DOSJA
Sipas Prokurorisë se Posaçme, në momentin kur oficeri i policisë Dedan Gjoni informoi se do ta nxirrte Plakun nga dera e pasme e komisariatit të Durrësit, Kep Arapi organizoi grupin e armatosur me qëllim që ta ekzekutonte atë.
“Mbas sinjalizimit që shtetasi Dejvi Gjermëni, i ka dhënë personit të quajtur Geri (identifikuar si Algert Rapi), Rexhep Rapi (Kep Arapi) është organizuar me njerëzit e tij për të kryer vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku”, thuhet në dosje.
Por, vrasja nuk u realizua, pasi Gjermëni i kërkoi Algert Rapit, nipit të Kep Arapit, që ky i fundit dhe njerëzit e tij të tërhiqeshin, nga frika se mos zbuloheshin, pasi Dedan Gjoni ia kishte përcjellë të dhënat në aplikacionin ëhatsup dhe jo në telefon të enkriptuar.
Në një bisedë të përgjuar, Gjermëni dëgjohet ti thotë Algert Rapit:..:“çfarë bën ai kështu o burrë, ne nuk e lamë kështu”.
“Thuaj atyre (me kallashnikov) të ikin se ai (Plaku) nuk është më aty në rajon, e kanë liruar”, dëgjohet ti thotë Gjermëni – nipit të Kep Arapit.
Bisedat u përgjuan nga autoritetet holandeze, të cilat po hetonin Dejvi Gjermënin për përfshirje në një organizatë kriminale që kultivonte drogë. Në këtë kuadër Gjermëni u vëzhgua në çdo lëvizje dhe u përgjua teksa bisedonte me persona të ndryshëm në ambjentet e biznesit të tij.
“Në periudhën nga fillimi i muajit mars 2020 deri në fund të muajit shtatorit 2020, në ambientet e firmës “Alba Cars” sh.p.k, nga shtetasi Dejvi Gjermëni është folur disa here dhe me persona të ndryshëm për një vrasje për të cilën janë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për ta realizuar në verën e vitit 2019 në Shqipëri”, theksohet në dosje.
Planet ai ia rrëfen Toni Dervishit, i cili u ekzekutua në Durrës, disa muaj më parë, ndërsa i tregon detaje se ishte Dedan Gjoni që e nxori në pritë Xhevdet Plakun. Madje, ai flet edhe për takime mes zyrtarit të policisë dhe të fortit të Sukthit, Kep Arapi në lokalin e këtij të fundit te Gjiri i Lalzit.
Vrasja e Xhevdet Plakut ishte planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019, në Durrës, kur ai ishte shoqëruar na komisariat nga oficeri i policisë Dedan Gjoni, me pretendimin se përdorte makinë të blinduar.
SPAK thotë se Rexhep Rapi i njohur si Kep Arapi, nipi i tij, Algert Rapi, Dejvi Gjermëni, i njohur edhe me emrat Elton dhe Sako Gjermëni, si dhe oficeri i policisë Dedan Gjoni, krijuan kushtet për vrasjen e Plakut, për motive hakmarrje. Kep Arapi e akuzonte Xhevdet Plakun si autor të vrasjes së vëllait të tij, Sali Rapi në vitin 2000 në Savona të Italisë.