Policia e Kosovës e ka konfirmuar arratisjen e Enver Sekiraqës. Ndonëse ishte në survejimin nga Policia, Sekiraqa duket se ia ka dalë që të humbë gjurmët. Sekiraqa ndodhej në arrest shtëpie, ndërsa një ditë më parë Gjykata e Apelit ka marrë vendimin për rikthimin në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
Departamenti Special e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar.
Më 3 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim dhe në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari e kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.
Kelmendi tha se këtë nuk mund ta konsideron si arratisje.
“Unë personalisht nuk mund ta quaj dhe konsideroj arratisje për faktin se i njëjti ka qenë në liri dhe ai nuk ka qenë i obliguar ta pres në shtëpi një vendim të Apelit në cilindo variant. Tani, fakti që policia sot nuk e kanë gjetur në shtëpi, kjo nuk është kontestuese, por, a është arratisur apo për momentin nuk ka qenë në shtëpi dhe ka mundësi të kthehet apo paraqitet, unë ketë nuk e di meqë nuk kam informacion, meqë është fjala për 24 orët e para pas vendimit të Gjykatës se Apelit. Kjo mbetet të shihet tutje.