Kryeministri Albin Kurti ka qenë për homazhe te varret e të vrarëve në masakrën e Tusuzit, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.
“Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha kryeministri Kurti.
Në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, kryeministri u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17 vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj.
Më tej, kryeministri duke përmendur djegien e mbi 300 shtëpive dhe dhembjen për vrasjen e 27 civilëve nga forcat armike serbe, që sot janë martirë të kombit, theksoi se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.
Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, ai shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq. Prandaj, me këtë rast ai i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi për më të dashurit tanë që mungojnë tash e 25 vite.
“Drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme”, përfundoi kryeministri.