Dritan Nano, i cili u arrestua si organizator i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesit, ka mohuar të ketë gisht në ngjarjen e rëndë, që ndodhi mëngjesin e së mërkurës (29 Maj) në ish-Bllok kur juristi sapo kishte lënë djalin në kopsht.
“Nuk e organizova unë sulmin ndaj avokatit. Nuk kam lidhje me ngjarjen”, ka dëshmuar para hetuesve Dritan Nano, i cili dyshohet si organizator i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.
Ndërsa 19-vjeçari, Dorian Alia, i cili u vetëdorëzua në polici disa orë pas dhunimit të juristt, është shprehur se: “Shkuam për t’i dhënë një mesazh. Nuk e menduam që situata do të rëndohej kaq dhe avokati do të merrte kaq dëme të rënda”.
Sipas burimeve juristi, i cili u dhunua brutalisht nga vëllezërit Drivald Alia 21 vjeç e Dorian Alia 19 vjeç dhe Elton Kasaj 33 vjeç, vazhdon të jetë në monitorim intensiv nga stafi mjekësor i reanimacionit.
Si ndodhi ngjarja
Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua dje brutalisht në zonën e ish-Bllokut sapo kishte çuar fëmijën në kopsht.
Ngjarja ndodhi sapo avokati la djalin në kopsht në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Avokati i ish-kryeministri Sali Berisha raportohet se në momentin që kishte lënë fëmijën në kopshtin në zonën e ish-Bllokut, autorët i janë afruar dhe e kanë goditur fillimisht me grushte e pastaj me sende të forta.
4 autorët e dhunës së avokatit Sokol Mëngjesi sipas policisë janë Romario Tabaku, Elton Kasaj 33 vjeç dhe vëllezërit Drivald Alia 21 vjeç e Dorian Alia 19 vjeç. Elton Kasaj është kushëri me vëllezërit Alia. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50 pranë banesës së avokatit në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ndërkohë policia ka sekuestruar kamerat për të identifikuar autorët e ngjarjes dhe janë marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje. Sapo të mbarojë së marri mjekimin e nevojshëm, ai do të merret në pyetje nga uniformat blu.
Sipas burime, Mëngjesit i janë shkaktuar fraktura në kokë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, njoftoi dje se 4 autorët e sulmit janë Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ky i fundit u vetëdorëzua në momentin kur po jepej konferenca për shtyp. Tonin Vocaj sqaroi të gjithë dinamikën e ngjarjes, ndërsa sqaroi se Romario Tabaku i ka larguar autorët e ngjarjes me një makinë “Audi”.
Sipas Vocajt, avokati Sokol Mëngjesi është dhunuar nga 4 personat për shkak të detyrës.
“Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë. Proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar nga ai. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me studion ligjore.
Është shoqëruar shtetasi Dritan Jani Nano 58 vjeç banues në Tiranë, i cili u ndalua me iniciative, i dyshuar si organizator i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”, – tha Vocaj.
Po ashtu, policia vë në dispozicion 20 mijë euro kush jep informacion që çojnë në kapjen e tyre. Avokati u dërgua në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku po merr ndihmë mjekësore dhe vazhdon të jetën në monitorim intensiv nga stafi mjekësor në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore.