Prokuroria e Prishtinës, përmes një komunikate për mediat, bëri me dije se ka mundur të identifikojë dhe më pas të arrestojë të gjithë pjesëtarët e grupit famëkeq të aplikacionit Telegram, i njohur si “Albkings”.
Ky grup, nën administrim nga 7 persona, shpërndante foto intime të personave të ndryshëm, me qëllim shqetësimin dhe ngacmimin seksual.
“Ju njoftoj se prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmonin, zbulonin dhe të arrestonin të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së identiteti dhe kredencialeve. Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot, i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për persona të tjerë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Grupi “Albkings” në rrjetin “Telegram” u kthye në një tmerr për gratë dhe vajzat, jo vetëm në Kosovë, por dhe në Shqipëri, teksa aty shpërndahen foto dhe video intime të tyre, përfshirë dhe numra celulari.