Gazetare: Ajnur Bafqari
Proceset zgjedhore ndikojnë në dinamikën e punësimeve të përkohshme dhe shërbimet konsultative në sektorin publik, por më së shumti ndikim kanë periudhat kur ndryshon pushteti. Këto janë rezultatet e analizës së zbatuar nga Instituti Nacional Demokratik-NDI dhe shoqata për hulumtim dhe analiza “ZMAJ”. Të dhënat flasin për rritje të punësimeve të përhershme në periudhën prej një viti pasi një garniturë politike ta merr pushtetin, ndërsa organizatat kanë konstatuar se numri i punësimeve të përkohshme apo angazhimit të njerëzve për shërbime konsultative, varen nga preferencat e partive që janë në pushtet.
“Te punësimet e përkohshme dhe shërbimet konsultative, një garniturë politike preferon njërën, ndërsa me ndryshimin e pushtetit, ndodh ndryshimi i opsionit të preferuar, respektivisht në periudhën prej 2010 deri në vitin 2016, shërbimet konsultative kanë shumë më shumë rëndësi në raport me punësimet e përkohshme. Ndërsa me ndryshimin e pushtetit, punësimet e përkohshme e marrin primatin”, tha Viktor Mitevski, ZMAJ.
Sipas analizës, numër më të madh të punësimeve të rregullta në administratën publike ka pasur në vitin 2019, kur numri ka arritur në rreth 133 mijë të punësuar. Sipas analizës, numri i të punësuarve të rregullt në vitin 2015 ka qenë mbi 128 mijë, pas çka në 2016-tën është rritur në 129 mijë. Megjithatë, puna në administratë duket se po bëhet gjithnjë e më pak atraktive, kështu që numri i të punësuarve përsëri po rikthehet në nivelin që ishte në vitin 2015.
“Do të punojmë në ndjekjen e keqpërdorimit të mundshëm të resurseve shtetërore në periudhën zgjedhore. Së bashku me ZMAJ, presim të zhvillojmë një platformë dixhitale që do t’i përdor të dhënat e hapura që janë në dispozicion dhe do t’i kryqëzojë me qëllim që të ndiqet ndikimi i mundshëm i resurseve zgjedhore në kohën kur bëhen prokurimet publike, por njëkohësisht edhe punësimet e përhershme dhe të përkohshme në sektorin shtetëror”, u shpreh Aleksandra Krstevska, NDI.
Analiza e sotme është pjesë e projektit “Shfrytëzimi i resurseve shtetërore në kohën e proceseve zgjedhore” dhe do të publikohet në javët në vazhdim. /Alsat.mk