Gazetar: Suad Bajrami
Prokuroria ngriti akuzë për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Në akuzë përfshihen katër persona, në mesin e të cilëve edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski. Në ndërkohë, vijon procedura hetimore kundër të akuzuarit të parë i cili u ekstradua nga Turqia, Lupço Palevski Pallço dhe shoferit Stefan Dimovski, i cili dyshohet se e ka ndihmuar gjatë arratisjes.
Tre të akuzuarit Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski akuzohen për veprat penale Vrasje në mënyrë mizore dhe rrëmbim, ndërkaq babai i Vanjës, Gjorçev akuzohet për rrëmbim.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit fillimisht e kanë planifikuar rrëmbimin e Vanjës, me qëllim që të detyrojnë nënën e saj t’u japë para. Për këtë, më 22 nëntor kanë shkuar në shtëpinë e Zhezhovskit, të cilin e kanë sulmuar fizikisht, e kanë rrëmbyer dhe më pas e kanë vrarë me pistoletë, me qëllim që t’i marrin veturën e tij “Citroen” të cilën, më pas do ta përdorin për rrëmbimin e Vanjës.
Pasi e kanë marrë veturën, më 27 nëntor e kanë rrëmbyer Vanjën në Shkup, para hyrjes së banesës.
Prokuroria informon se rrëmbimi ka ndodhur pasi që babai i Vanjës, nëpërmjet Pallços, tre të akuzuarve u ka treguar për orarin kur do të dalë Vanja, për të shkuar në shkollë.
“Me kaçavidë e kanë hapur hyrjen e ndërtesës, kështu që kur viktima ka dalë nga ashensori, e kanë kapur, mposhtur dhe më pas e kanë lidhur, duke e kërcënuar se nëse bërtet do të gjuajnë me armë. E kanë futur në thes gjumi dhe me automjet e kanë dërguar në afërsi të vendit të quajtur “Dupki” në afërsi të fshatit “Brazda. Aty, në mënyrë mizore, me paramendim e kanë privuar nga jeta fëmijën e mitur, kështu që i dyshuari i parë i ka shkaktuar plagë me armë zjarri nga një e shtënë me pistoletë 9 milimetra, ndërkaq të akuzuarit e kanë varrosur trupin në gropën që paraprakisht e kishin hapur”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike-Shkup.
Pas kësaj, sipas Prokurorisë, të akuzuarit e kanë djegur veturën Citroen, për çka, kanë përdorur benzinë.
Prokurori, sot njoftoi se do t’ua vazhdojë masën e paraburgimit tre të akuzuarve dhe masën e paraburgimit shtëpiak babait të Vanjës. /Alsat.mk