Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi është e stabilizuar gjashtë ditë pas dhunës nga 3 persona në zonën e ish-bllokut në Tiranë, pasi kishte çuar fëmijën në kopësht.
Por, Mëngjesi vijon të jetë në intubim dhe një ditëmë parë u transportua nga spitali i Traumës me avion privat sanitar, drejt një spitali privat në Athinë.
Pas kërkesës së familjarëve, mjekët e Traumës u konsultuan me mjekët e spitalit në Athinë dhe duke parë gjendjen shëndetësore të avokatit që ishte përmirësuar dhe se mund ta përballonte udhëtimin, u vendos të shkonte me avion sanitar drejt Athinës.
Mëngjesi do të vijojë trajtimin e specializuar mjekësor në spitalin në Athinë, ku që prej ditës së djeshme në spitalin e Traumës nisën tentativat e para për ta nxjerrë nga koma artificiale, duke ulur dozën e medikamenteve që e mbajnë në gjumë, proces i cili zgjat.
Mësohet se avokati është transportuar i intubuar dje nga Trauma drejt Athinës, ndërsa avioni sanitar që e transportoi ishte i spitalit privat në Athinë.