Gazetare: Ajnur Bafqari
Komisioni Antikorrupsion ka paralajmëruar nismë për përgjegjësi ndaj ministrit të Shëndetësisë Ilir Demiri, për të cilin vlerëson se në mënyrë të paligjshme ka shkarkuar drejtorin mjekësor të Klinikës së Toksikologjisë, Danill Petrovski dhe drejtorin e kardiokirurgjisë shtetërore Marjan Shokarovski. Antikorrupsioni ka konstatuar se me dy vendimet e ministrit, janë shkelur Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikt Interesi si dhe Ligji për Mbrojtje Shëndetësore, ndërsa është shkelur edhe Kodi Zgjedhor, duke marrë parasysh faktin se drejtorët janë shkarkuar me vendime të marra më 14 dhe 27 maj, para miratimit të konkluzionit për përfundimin e zgjedhjeve parlamentare.
“Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se ministri ka marrë vendim për shkarkim të drejtorit kur akoma nuk ka përfunduar zgjedhja e deputetëve, ndërsa nga drejtori organizativ i klinikës janë nënshkruar marrëveshje me punonjës shëndetësorë, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore“, tha Cveta Ristova, anëtare e Komisionit Antikorrupsion.
Nga Antikorrupsioni më tej theksojnë se për këto shkarkime nuk janë respektuar procedurat e shkarkimit, duke nënvizuar se nevojiteshin propozime për shkarkim nga Bordet Drejtuese të Këshillave Shëndetësore të dy klinikave. Sipas Komisionit Antikorrupsion, joligjore ishin edhe kontratat në vepër me 18 persona në klinikë të cilëve u kishte ndërpre marrëdhënia e punës, pasi nuk ishin nënshkruar nga dy drejtorët siç parasheh ligji./Alsat.mk