Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Skënder Hyseni sot ka marrë pjesë në debatin organizuar nga OJQ FOL,raporton KTV.
Ai me këtë rast ka folur për Interpolin dhe për shpresën e vet që ky organizëm policor ndërkombëtar të mos politizohet.
Duke folur për ndalimin e Haradinajt nga Interpoli, Hyseni ka thënë se është e pa pranueshme që luftëtarët e lirisë të arrestohen në bazë të fletarresteve të Serbisë.
“Ndalimi i Haradinajt nuk e zbeh punën e MPB por i shton detyra. Jemi në fazën e rrumbullakimit të kritereve…Jemi në pritje të këtyre kritereve dhe të shohim sa janë të favorshme . Dhe besoj se këto kritere do ta ruajnë kriterin thelbësore të Interpolit e jo të politizohen. Ne nuk mund të vëmë kushte por me butësi do t’i trajtojmë ato deri sa të mos jemi pjesë e OKB-së. Ne duhet të shfrytëzojmë miqtë që janë pjesë e Interpolit që këto lista të mos përfillen”, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka folur edhe për ato që ai i ka quajtur të arriturat e MPB-së:
“Ka fusha që nuk kemi arritur të kryejmë punën, për arsye të ndryshme duke futur këtu edhe neglizhencën nga ana jonë. Por, disa objektiva nuk ia kanë arritur për shkak edhe te mungesës dhe përkrahjes adekuate nga ana e ndërkombëtarëve që dua ta pranoj se kjo është po ashtu pasojë e mos punës sonë. Jemi përballur me migrimin… e po ashtu me mosshkrirjen e strukturave paralele”, ka thënë Hyseni.
© KOHA.