Një ngjarje e rëndë shënon mëngjesin e kësaj të diele në Mirditë, ku një makinë ka shpërthyer duke plagosur kështu drejtuesin e saj.
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 08:05, në fshatin Malaj të Mirditës.
Sipas uniformave blu, Ledovik Syziu është futur në automjetin e tij të parkuar në oborrin e banesës së tij, e sapo e ka ndezur makinën ka ndodhur shpërthimi në pjesën e pasme të mjetit.
Drejtuesi është dëmtuar për shkak të shpërthimit e ndodhet në Spitalin Rajonal të Mirditës, jashtë rrezikut për jeten.
Dyshimet e para të uniformave blu qëndrojnë për vendosjen e lëndës artizanale, por nuk është ende e konfirmuar me siguri të plotë nga policia.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe sigurimin e provave për dokumentimin ligjor të rastit.
Njoftimi
Mirditë/Informacion paraprak
Rreth orës 08:05, Salla operative e Komisariatit të Policisë Mirditë është njoftuar se në fshatin Malaj, në oborrin e banesës së shtetasit L.S, në momentin që ky shtetas ka ndezur automjetin, në pjesën e pasme të automjetit ka ndodhur një shpërthim.
Për pasojë shtetasi L.S, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Mirditës jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para dyshohet se ka shpërthyer lëndë artizanale.
Nën drejtimin e Prokurorisë Grupi hetimor po vijon intensivisht punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.