Shkrimtari e publicist Veton Surroi përmes një postimi në Facebook ka bërë krahasime ndërmjet qëndrimit të kryetarit të Maqedonisë Ivanov që mbrojti kërkesën e VMRO-DPMNE-së dhe të ish – presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga e cila mbrojti kërkesën PDK-së duke mos lejuar që shumica parlamentare e Kosovës të formonte Qeverinë, transmeton Koha.net.
Surroi ka theksuar se BE asokohe toleroi bllokimin jodemokratik të Kosovës për hir të “stabilitetit”, e shtoi se kësaj radhe BE ka gjasa ta korrigjojë veten dhe ta respektojë të drejtën demokratike.
Ky është postimi i plotë i Surroit:
“Presidenti i Maqedonisë Ivanov, me kërkesë të VMRO-DPMNE , po ia mohon mandatin shumicës parlamentare që ta formojë Qeverinë e ardhshme.
Presidentja e Kosovës, me kërkesën e PDK-së , ia mohoi mandatin shumicës parlamentare që ta formonte Qeverinë e vendit.
BE asokohe toleroi bllokimin jodemokratik të Kosovës për hir të “stabilitetit” dhe mbërriti në udhë qorre.
BE ka gjasa këso kohe ta korrigjojë veten dhe ta respektojë të drejtën demokratike; të mos mbërrijë në udhë qorre.
Stabilitetin e krijon konsensusi demokratik, jo shantazhi mafioz”.
© KOHA