Gazetare: Ajnur Bafqari
Vazhdon beteja e ashpër me flakët që kanë përfshirë më shumë pjesë të vendit. Në 24 orët e fundit, kishte 36 zjarre aktive, 18 prej të cilave u vendosën nën kontroll. Me helikopterë e avionë, si dhe me ndihmën e automjeteve për shuarjen e zjarrit nga toka, autoritetet vendore bashkë me kapacitetet e huaja, kryesisht nga vendet fqinje, po zhvillojnë luftë me stuhinë e zjarreve. Situata më e vështirë vazhdon të jetë në malin Serta. Gjatë ditës, një zjarr në rajonin e Kavadarit kërcënoi një vendbanim, por më vonë u vë nën kontroll, ndërsa fshati Shivec u shpëtoi flakëve.
“Katër helikopterë fluturuan drejt malit Serta, në rajonin e komunës së Radovishit, te fshati Kollajevo. Aty dërguam 2 helikopterë të mëdhenj të armatës, një të policisë, dhe një helikopter të Malit të Zi. Në afërsi të Gjevgjelisë, dërguam dy helikopterë sllovenë. Ndërsa në komunën e Novosellës, në afërsi të kufirit bullgar dërguam një helikopter të madh turk dhe një helikopter më të madh serb. Por më vonë për shkak të zjarrit në rajonin e Radovishit, në afërsi të qytetit, që mund të paraqet rrezik, e dërguam helikopterin serb”, deklaroi Stojançe Angellov, QMK.
Zjarret kanë përfshirë më shumë pjesë të vendit, duke mos kursyer as rajonin e Shkupit, ku nga flakët janë përfshirë disa hapësira në Lubin dhe Gërçec të komunës së Sarajit. Zjarre ka edhe në Sopishtë, Zelenikovë, Jabollçishtë të Poshtme dhe Studeniçan.
“Në territorin e shtetit kemi edhe zjarre të tjera që me siguri sot do të nevojitet mbështetje nga ajri. Këto janë zjarret në territorin e komunës së Çashkës, Dollnen, Studeniçan, Maja e Selanikut dhe Zelenikovë”, tha Stojançe Angellov, QMK.
Gjatë ditës së sotme në luftën kundër zjarreve u përfshinë edhe dy avionë nga Rumania. Përveç airtraktorëve dhe helikopterëve të policisë dhe ushtrisë, në dispozicion janë edhe dy airtraktorë dhe 1 helikopter nga Turqia, 1 helikopter nga Serbia, 2 helikopterë nga Sllovenia, një kanader nga Kroacia dhe 1 helikopter nga Mali i Zi. /Alsat.mk