Gazetar: Avni Tahiri
Për të gjetur një vend në autobusët e transportit publik të Shkupit është e ngjashme si të fitosh në loto.
E për t’ua vështirësuar edhe më shumë pritjen tjerëve që nuk gjeten vend u desh të qëndrojnë në këmbë shkaku i ngjyrosjes së ulëseve të cilat mbanin mbishkrimin “ Është ngjyrosur tani”.
Në temperatura rreth 40 gradë celsius duke pritur autobus, qytetaret shprehen të shqetësuar për këtë kaos të krijuar me transportin publik të Shkupit.
“Një orë e 40 minuta, 1600 denarë në muaj paguaj, ja ku është, dhe ka një muaj apo dy që nuk ka aspak, ja i gjithë populli pret këtu, shkoj në FushëTopane. Nuk ka asnjë nuk vjen ndërsa këtu shkruan se për 5, 4, 6 minuta nuk vjen asnjë, nuk ka asnjë rregull këtu”, tha një qytetar.
“Dje prita katër orë dhe shkova në këmbë, në mbrëmje, por çfarë me duhet në mbrëmje, në mëngjes herët kur shkojnë punëtoret presin, ankohen, me taxi shkojnë. E paguajmë mujoren dhe perse të shkojnë me taxi, nuk ka rregulla”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Një orë, pres 9 apo 19, isha në pazare dhe nuk e di as kur do të vjen”, tha një qytetar.
“Nuk ka autobusë, janë të rrallë por patjetër të udhëtojmë. Qytetaret e ndjejnë në lëkurën e tyre të cilët presim me orë neper stacione”, u shpreh një qytetare.
Gjendja me autobusët e reduktuar privat edhe më tej vazhdon të mbetet e njëjtë, ata vozisin me orare të reduktuar, pra vetëm nga ora 17:00. Shkak i reduktimit sipas tyre është borxhi i pa paguar nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik që ka ndaj tyre e sipas tyre shkon rreth 2 milion euro. Sipas informatave tona ka pasur një takim mes drejtorëve të linjave private dhe drejtorit të ri të NQP-së por që pritet që në ditët në vijim të dalin me detaje se a janë marrë vesh për pagesën e borxhit ndaj tyre. Deri atëherë qytetarët do të vazhdojnë të presin me orë për një vend në autobusët e reduktuar. /Alsat.mk