Kompania globale, Crowdstrike ka thënë se problemet kibernetike që janë shkaktuar të premten në gjithë botën, janë pasojë e një “defekti” gjatë përditësimit të një sistemit të saj.
Kjo kompani krijon softuerë për të luftuar viruset kompjuterike. Crowdstrike ka thënë se është duke punuar vazhdimisht me konsumatorët.
“Sistemet Mac dhe Linux nuk janë prekur. Ky nuk është incident i sigurisë apo sulm kibernetik. Problemi është identifikuar, izoluar dhe po punohet në të”, ka thënë kompania përmes një deklarate.
Shumë kompani të mëdha ajrore në Shtetet e Bashkuara, i kanë anuluar fluturimet, duke cituar probleme me komunikim, derisa kompani tjera mediale, banka dhe spitale në shumë vende të botës, kanë raportuar që kanë probleme me sistemet kompjuterike dhe që po u pamundësohet puna.
Në Kosovë, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike e Kosovës (KESCO), ka bërë të ditur se qysh prej mëngjesit është duke hasur në vështirësi në kryerjen e punëve për shkak të rënies së sistemit kompjuterik.
Ajo e ka përmendur që problemet e saj lidhen me problemin që e kanë raportuar shumë kompani në botë, të lidhur me Crowdstrike.
Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike – organ shtetëror për ruajtjen e sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Kosovë – ka thënë incidenti shkakton probleme gjatë ristartimit të sistemit operativ Microsoft Windows.
“Në rast të këtij problemi, sipas udhëzimeve teknike të proklamuara deri më tani, është e nevojshme që të fshihen fajllat ‘C-00000291*.sys’ nga direktoriumi ‘CWindowsSystem32driversCrowdStrike’ në Save Mode”, ka thënë ky organ përmes një postimi në Facebook.
Sa u përket vendeve tjera:
- Në Kroaci raportohet të ketë rënë Sistemi Qendror Informativ Shëndetësor.
- Televizioni britanik Sky News ka qenë për pak kohë jashtë transmetimit.
- Policia në shtetin amerikan të Alaskës ka raportuar për bllokim të linjës për emergjenca – 911.
Situata me fluturime në Evropë
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nuk është raportuar për ndonjë vonesë.
Aeroporti në Berlin ka paralajmëruar që vonesa në fluturime do të ketë gjithë ditën.
Zëdhënësi i Aeroportit të Cyrihut ka thënë se nuk ka probleme, por fluturimet për Berlin i ka anuluar për shkak të problemeve atje.
Kompania e fluturimeve Lufthansa ka thënë se operacionet e saj janë prekur pjesshëm, dhe që mund të ketë anulime apo vonesa në fluturime.
Air Franc ka raportuar, gjithashtu, që fluturimet e kompanisë janë prekur si pasojë e problemeve me kompani tjera në gjithë botën.
Ngjashëm edhe linja holandeze KLM.