Miratimin e raportit të Komisionit për matjen e territorit sot nga qeveria, deputeti i PDK-së, Shaip Muja e ka quajtur pa asnjë efekt juridik.
Muja për Gazetën Blic tha se kjo që ka bërë sot qeveria ka vetëm efekt spekulativ dhe mediatik e dezinformues dhe asgjë tjetër .
Ndërkaq, mosvotimin e demarkacionit në kabinetin qeveritar nga Hajredin Kuçi, Muja e ka vlerësuar lartë.
“Ka mbi dy vite që po themi të gjejmë zgjidhje për konsensus, por kjo s’ka qenë në interes të qeverisë . Më erdhi mire që brenda qeverisë ka zëra dhe qëndrime që e ngrisin vlerën personale e profesionale në shërbim kombëtar”, tha ai për Gazetën Blic.
Sipas Mujës , mosvotimi i tij tregon se armata e kundërshtarëve profesional është më e madhe jashtë “shatorit” qeveritar , dhe asnjë komision s’e shpëton më dështimin e Isa Mustafës, i cili asnjëherë s’ka treguar vullnet për opsionet dalëse nga kjo krizë.
Përkundrazi, sipas tij e ka zvarritur duke e mbajtur veten me arsyetimet boshe në qeveri .
“Ne që nga sonte duhet të mendojmë seriozisht a ka kuptim vazhdimi tutje i qeverisjes së tillë të vendit”, tha ai.