Përse duhet mbrojtur Shefqet Krasniqin?

Si po bëhet prokuroria e Kosovës si ajo e Iranit dhe Arabisë Saudite

1.

Thellësia teologjike dhe intelektuale e dr. Shefqet Krasniqit, deri para ca kohe imam i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, mund të kuptohej fare lehtë në përgjigjen që ia dha një besimtari se ku e kishte vendin Nëna Terezë. “Në Xhehnem”, tha ai me vendosmërinë e njeriut që i di gjërat e ardhmërisë me siguri të plotë. Nëna Terezë, sipas dr. Krasniqit, e kishte vendin në Xhehnem (Ferr), sepse nuk e kishte pranuar “Allahun e plotë” , pra Allahun që nuk ka djalë të vetin (siç është rasti me Allahun e Nënës Terezë, i cili kishte djalë Jezu Krishtin). Ajo, sipas dr. Krasniqit, i ka pasë “të tanat. Me hangër çka don, me pi çka don, burra sa të don me ndërru…”, por megjithatë nuk e pranoi Allahun dhe tanimë do të jetë në Ferr.

Përshkrimi pervers bohemian i Nënës Terezë – me tavolinë të hapur për pije e haje dhe një harem meshkujsh hamshorë – mund të jetë pothuajse përshkrues i mendimit të dr. Krasniqit. Është karikatural deri në ofendim të hapur të religjionit të të tjerëve. Është denigrues për femrën. Është tmerrësisht injorant në shpërfilljen e fakteve bazike (celibatin e motrave të nderit, modestinë e skajshme të tyre ndaj ushqimit e pijes). Është ftesë populliste për të paedukuarit e paragjykuesit, me kërkim shpërblimi të përqeshjes së një figure tashmë botërore siç është Nëna Terezë. Po, është edhe ftues i urrejtjes.

Lista e mendimeve të ngjashme të dr. Shefqet Krasniqit mund të jetë e gjatë, për ata që kanë pasur apo kanë durim të hyjnë në Youtube. Në pamje, filmime e incizime me zë, do të shohin se Hoxha qan, çirret, kërcënon me fytyrë të mërrolur ku vetulla e mjekër bëhen bashkë – do të shohin një predikues i cili e frikëson çdokë me një Zot (Allah) hakmarrës, një Allah që do të lejojë hyrjen në portat e Xhenetit vetëm pasi ta ketë parë biletën hyrëse të vulosur nga dr. Shefqet Krasniqi.

2.

Me vite të tëra një pjesë e opinionit publik në Kosovë ka vënë në pah veprimtarinë e dr. Krasniqit, duke e cilësuar si veprimtari qartazi destruktive, si ndaj Islamit tradicional në Kosovë ashtu edhe ndaj tolerancës religjioze dhe respektin për shtetin shekullar. Veprimtaria e tij dhe e bashkëmendimtarëve (me të njëjtën thellësi teologjike dhe intelektuale) u spikat në veçanti kur Kosova u ballafaqua me një fenomen të ri, shkuarjen e të rejave dhe të rinjve shqiptarë (të shteteve të shqiptarëve) për të luftuar në radhët e ISIS-it dhe Al-Nusras.

Dhe, ekzistoi një ndërlidhje e natyrshme mes dy fenomeneve: predikimit jotradicional të dr. Krasniqit e shokëve të tij dhe rritjes brengosëse të numrit të rekrutëve të rinj shqiptarë në ISIS dhe Al-Nusra. Kjo ndërlidhje e natyrshme nuk do të befasonte shumë pra me lajmin e kësaj jave se dr. Shefqet Krasniqi formalisht u akuzua nga shteti i Kosovës për veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste, sipas nenit 141 të KPRK-së”.

Por, kur e lexova aktakuzën ajo më shkaktoi njërën prej befasive më të mëdha se dr. Shefqet Krasniqi është i pafajshëm për këtë akuzë, se duhet mbrojtur dr. Shefqet Krasniqin për shkak të mbrojtjes së lirive fondamentale dhe se fajtor në masë të madhe është shteti i cili e akuzon atë.

Në aktakuzën kundër Krasniqit nuk ekziston as edhe një dëshmi me të cilën do të vërtetohej se ai ka ftuar ndokënd të kryejë akte terroriste. Nuk ekziston një dëshmi nga ligjëratat e tij publike e as ekziston dëshmi nga përgjimet elektronike. Përkundrazi, në provat e deklarimit të tij publik ekzistojnë prova se ka thënë se “nuk është farz (obligim fetar) me shku në Siri” dhe se “të rinjtë tanë nuk kanë obligim me shku në Siri”.

3.

Prokuroria pranon se nuk ka prova për thirrje të drejtpërdrejtë të dr. Krasniqit për veprime terrorizmit, por cek se ka prova për veprim të zhdrejtë të tij në fjalimet publike. Dhe, si njërën prej provave më të mëdha kundër dr. Krasniqit shteti prezanton këtë shfryrje të tij, në një ligjëratë për Sirinë:

“..se Shiat- Rrafidët, Alevitet e Sirisë, Shiat e Iranit e Libanit dhe budistët e komunistet kinez kanë bërë dhe po bëjnë krime të mëdha ndër vëllezërve tanë mysliman, se shiat e Iranit dhe Libanit janë armiqtë të përbetuar të myslimanëve-sunit, se janë duke vrarë vëllezërit tanë mysliman në Siri, gra, fëmijë dhe pleq, se nuk është lehtë me u derdh gjaku i myslimanit, e drejtësi mos pritni se në xhenet nuk shkohet pa u s’provuar, se kështu ka thënë Allahu ezu egjel, i cili ka krijuar jetën dhe vdekjen për t`i sprovuar njerëzit, se myslimanet janë sikurse një trup dhe kur një pjesë e trupit plagoset i gjithë trupi angazhohet, preokupohet, po vëllezër mysliman, edhe ne ju themi popullit sirian qëndroni dhe mos u luhatni se Allahu është me ju dhe se myslimanët janë me ju, bashkoheni të gjithë unik se pa qenë unik nuk vjen ndihma e t`madhit Allah…”.

Po ta pastronim këtë tekst pak nga fjalori i urrejtjes (kundër shiitëve, të cilët cilësohen si armiqtë e përbetuar të Islamit, ndonëse vetë pjesë e Islamit) mbeten këto elemente:

– në Siri po masakrohet shumica e popullatës, që është suite,

– masakrën po e bëjnë forca të huaja (që me injorancën e dr. Krasniqit forcave shiite të Iranit e Libanit u shton edhe budistët e komunistët kinezë),

– kjo i prek ndjenjat e shumicës sunite në botë,

– kjo shumicë solidarizohet me popullin shumicë në Siri.

Ta ballafaqojmë për një moment këtë fjalim të dr. Krasniqit me deklarimet e një emri për të cilin Prokuroria e Kosovës me siguri nuk do të dyshonte se është nxitës i terrorizmit, ish-presidenti amerikan, Barack Obama.

Presidenti Obama, më 16 gusht 2011, duke kërkuar që Assadi të largohej nga posti i presidentit të Sirisë, deklaroi se është “koha për popullin e Sirisë që të vendosë për të ardhmen e vet, dhe ne do të qëndrojmë të fortë me të”. Pra, Barak Obama ka bërë pak a shumë çka ka bërë, natyrisht me stilin e tij, dr. Krasniqi: ka shprehur përkrahjen.

Për më tepër, dhe pas pesë vjetësh masakre, presidenti Obama, në fund të mandatit të tij, ka shprehur mllefin me gjendjen në Siri, pas masakrës së Alepos:

“Ne kemi parë një strategji të qëllimshme të rrethimit dhe urisë së civilëve të pafajshëm”, tha ai më 16 dhjetor të vitit 2016. Dhe shtoi “Përgjegjësia për këtë brutalitet qëndron vetëm në një vend: regjimi i Asadit dhe aleatët e tij Rusia e Irani”. Me tonin e drejtpërdrejtë ai përfundoi:

“Gjaku i këtyre masakrave është në duart e tyre”.

4.

Është lehtë të akuzohet Barak Obama për nxitje terrorizmi në Kosovë? A nuk ka thënë se duhet t’i qëndrojmë pranë popullit sirian, popullit që duhet të përcaktojë ardhmërinë e vet pa Assadin dhe që pas pesë vjetësh, duhet të mbrohet nga duart e përgjakura të Assadit e aleatëve rusë e iranianë?

Shefqet Krasniqi, me një gjuhë gjithsesi jo aq intelektuale, po ashtu kërkoi që t’i rrinim pranë (jo krejt popullit) shumicës suite, përderisa përcakton ardhmërinë e vet pa Assadin, e duke u mbrojtur nga duart e përgjakura të tij dhe aleatëve rusë e iranianë (prej dika i nxori edhe budistët e komunistët kinezë në këtë listë).

Por, Prokuroria e Kosovës nuk hyn në puqjet e dallimet që mund të ekzistojnë në formën a substancën e qëndrimeve të dr. Krasniqit, krahasuar me ato të presidentit Obama. E përbashkëta e të dy qëndrimeve – njëri i një presidenti të ndritur amerikan dhe tjetri i një hoxhe obskurantist të Kosovës – megjithatë është se nuk ka thirrje për veprime terroriste. Dhe meqë nuk ka prova për shtytje të drejtpërdrejtë të dr. Krasniqit për vepra terrorizmi, aktakuza kundër tij zhytet në territore deri tani të paeksploruara nga drejtësia. Sipas Prokurorisë së Kosovës “Gjatë faljes së xhumasë, paraqitjeve në TV, radio dhe rrjete sociale me anë të ligjëratave të ndryshme, imami kishte përdorur gjuhë të vrazhdët dhe interpretim të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor e frymës islame”.

Pra pjesë e akuzës, ndaj dr. Krasniqit nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës – jo nga ndonjë Akademi e aktrimit apo Lektorë gjuhe – është se ai ka përdorur gjuhë të vrazhdët. Dhe, thelbi i akuzës nga Prokuroria e një shteti shekullar siç është Kosova – jo nga Fakulteti Shkencave Islamike e as nga një Qendër teologjie – është se ka “përdorur interpretim të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor e frymës islame”.

Një formulim të këtillë aktakuze, çfarë ka bërë Prokuroria e Kosovës, do të ishte i mundshëm vetëm në Republikën Islamike të Iranit a në Mbretërinë e Arabisë Saudite, aty ku institucionet e shtetit janë të autorizuara të gjykojnë për çështje të pastra religjioze.

Prokuroria e Kosovës – e cila pse të vendosë se çka është ajet kuranor e çka nuk është, cili është brenda kontekstit kohor e cili jo, çka është në frymën islame e çka jo – vendoset në pozitë të ekstremizmit religjioz duke konsideruar se po bën luftë kundër këtij ekstremizmi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme