Gazetar: Adrian Kerimi
Prokuroria Publike ka hapur hetim për uljen e siguresave elektrike në Institutin e Shëndetit Publik në Shkup (ISHP), përkatësisht në repartin e Bakteriologjisë ku po ruheshin reagensët e sëmundjeve të ndryshme përfshi edhe epideminë me kollën e mirë. Sipas denoncimit, janë ulur siguresat e frigoriferëve të reagensëve për sëmundjet ngjitëse dhe jongjitëse. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska tha se gjatë ditës do të përpilohet raport i specializuar nëse janë dëmtuar reagensët apo është ndërhyrë në kohë.
“Te kutia përkatëse ka qindra siguresa, por janë ulur poshtë vetëm ato që janë të lidhur me frigoriferin e njërës dhomë. Nuk e di nëse kjo është rastësi apo qëllim. Unë po ju informoj për atë që kam parë me sytë e mi. Rasti që dje është denoncuar dhe tani organet hetuese duhet ta konstatojnë nëse është rastësi apo diversion”, tha Marija Andonovska, Drejtoreshë e ISHP-së.
Organi i akuzës ka hapur hetim mbi dy pista dyshimi: “diversion” vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon të paktën 4 vjet burg dhe veprën tjetër penale “sabotim” për të cilën parashikohet të paktën 3 vjet burg efektiv.
“Për shkak të seriozitetit të lartë për pasoja të rënda ndaj shëndetit të njerëzve në rast se vepra është nxitur nga një motiv i tillë, por edhe mundësia se bëhet fjalë për vepra penale kundër shtetit si diversion dhe sabotim. Prokuroria Publike dhe Prokuroria e krimit të organizuar janë duke hetuar në vendin e ngjarjes”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Dhoma brenda së cilës ndodhet frigoriferi me reagensët për sëmundjet ngjitëse dhe jongjitëse ka vetëm një çelës dhe atë e posedon një i punësuar. Kutia e siguresave dhe lidhja vazhduese që përçon rrymën deri te frigoriferët ndodhet në korridor, aty ku frekuentojnë të gjithë të punësuarit në repartin e Mikrobiologjisë dhe Bakteriologjisë. Sipas versionit të policisë frigoriferët janë fikur nga të punësuarit nga ora 14:30 deri në orën 16. /Alsat.mk