Mitrovicasit akuzojnë Perëndimin se nuk po ua respekton vullnetin për hapjen e urës

Qytetarët shqiptarë në Mitrovicë mbështesin qëndrimin që ura qendrore e lumit Ibër të lëshohet për qarkullim të automjeteve. E ata serbë, disa janë kundër e disa duan që hapja të bëhet me marrëveshje politike. Përfaqësues të institucioneve në veri, vlerësojnë se barrierë kryesore për hapje të urës, përbën bashkësia ndërkombëtare

Ura mbi lumin Ibër e vendos kufirin administrativ mes Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut dhe bllokimi i saj e ka pamundësuar integrimin e këtyre dy qyteteve. Barrikadat e betonit të vendosura në hyrje të Mitrovicës së Veriut kanë pamundësuar qarkullimin e lirë të qytetareve me vetura nga njëra komunë në tjetrën.

Veturat e Policisë së Kosovës e ato të trupave ushtarake italiane janë të vetmet që mund ta përshkojnë urën qendrore dhjetëra metërshe mbi lumin Ibër.

Nga ana jugore ajo është mbyllur me rrethoja të hekurta që lëvizin për interes të qarkullimit të forcave të rendit e nga ana veriore mbetet barrikada e pakalueshme prej betoni.

Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti shprehu qëndrimin se ura duhet të hapet e BE-ja dhe QUINT-i e kundërshtuan këtë gjë, patrullimi i karabinierëve italianë, që është i përhershëm mbi urë, u shtua në numër.

Qytetarët shqiptarë poshtë Ibrit, shpresojnë në hapjen e saj dhe tregojnë vështirësitë që ua ka shkaktuar mbajtja mbyllur prej automjeteve prej pasluftës.

“Na për me dashtë me kalu duhet ta përdorim rrugën e “Lagjes së Boshnjakëve” ose urën e Suohdollit pa nevojë, a qe ku e kam banesën, shtëpinë, qetu trup mundesh me shku kah të duash”, ka thënë qytetari Sabit Pllana.

Të tjerë qytetarë thonë se hapja e urës nuk varet prej vullnetit të tyre por nga politikat e ndërkombëtarëve.

“Ky është problem politik nuk ka të bëjë me vullnet të qytetarëve, as të “shkive” as të shqiptarëve, qaty qëndron problemi politik. Problemin politik ne nuk mundemi me vendosë e vendosin superfuqitë”, ka deklaruar Hamëz Dërvishi.

Kritika ndaj BE-së ka shprehur edhe qytetari Xhafer Peci.

“Unë nuk po di edhe Bashkësia Evropiane çka po do me të, çka ka koqitur me të, çka po i duhet Bashkësisë Evropiane kjo urë kështu e mbyllur, çka po i vyen… Shumë herë po vyen edhe mos me e ngu  edhe qëndrimin e tyre. Me e krye punën, ata flasin një javë ditë edhe mandej përsëri vazhdojnë tjetra punë”, ka thënë ai.

Njëri nga ta është i gatshëm të asistojë në hapjen e urës

“Unë punoj me bagerë me kamionë, pa para e heq këtë me vetë dëshirë, me vullnet kur të donë le të më thirrin”, ka thënë Sabit Pllana.

Por, qëndrimet e qytetarëve të veriut të banuar kryesisht me serbë, janë të ndryshme kur pyeten se a e përkrahin hapjen e urës.

“Jo bre, edhe këta pak që kemi mbetur me na përzënë edhe u krye ”, ka thënë një qytetar pa pranuar të ndalet e të identifikohet.

Një tjetër u tregua më diplomat.

“Unë jam që të bëhet gjithçka mirë”, është shprehur ai.

E një tjetër qytetar serb ka vlerësuar se ende nuk është koha për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve.

“Natyrisht kur të vije koha dhe kur politikisht të merren vesh, ura duhet të hapet. Nuk e di a është tash koha”, ka thënë ai.

Nexhat Ugljanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, thotë se si shqiptarët ashtu edhe serbët kanë disponim që ura të hapet, meqë sipas tij, ndikimi i Beogradit dhe i Listës Serbe në veri është zbehur.

Por, ai thotë se pengesë është Perëndimi.

“Barriera e hapjes për automjetet dhe qarkullimin e lirë të tyre është KFOR-i dhe prezenca e EULEX-it e cila është në urë. Barriera është që 24 vjet dhe tash mendojmë që janë krijuar kushtet të hapet sidomos e rëndësishme është edhe për komunitetin shumicë serb në pjesën veriore”, ka thënë Ugljanin.

Të premten, vendet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, janë shprehur se aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit të urës qendrore në Mitrovicën e ndarë etnikisht, e cila mbahet e mbyllur për automjete.

Kjo urë që nga paslufta ka ndarë Mitrovicën në dysh.

Çështja e hapjes së urës, është trajtuar në dy marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Punët për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër të cilat ishin financuar nga BE-ja kanë përfunduar prej vitesh, por që ajo nuk është hapur asnjëherë për qarkullim të automjeteve.

E tash, nga BE-ja kanë kërkuar që hapja e urës të jetë sërish pjesë e negociatave në Bruksel. Kjo është refuzuar nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, të premten për këtë temë priti edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të cilët dolën hapur kundër hapjes.

Pas takimit, nga zyra e Kryeministrit lëshuan një komunikatë, ku u theksua se ura do të hapet.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet”, thuhet në njoftim.

Në njoftim është theksuar po ashtu se kryeministri ua ka prezantuar përfaqësuesve diplomatikë planin e Qeverisë për hapjen e urës. Sipas njoftimit, plani përmban disa veprime.

“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit, si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhet tutje në njoftim.

Idenë e BE-së për ta diskutuar hapjen në negociata e ka kundërshtuar edhe presidentja, Vjosa Osmani. Sipas saj, nuk ka pse pyetet Serbia për çështje që i takojnë Kosovës./Koha.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme