Vërshimet në Poroj, banorët ndjehen të tradhtuar

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Po bëhen tashmë afër dhjetë vite që kur vërshimet, shkatërruan disa fshatra në Tetovë, e madje, përveç dëmeve materiale, pati edhe viktima në njerëz. Autoritetet asokohe u çuan gjithë në këmbë dhe premtuan mbrojtjen e këtyre fshatrave nga vërshimet, me theks të veçantë fshatin Poroj, i cili pësoi dëme të mëdha. Por që nga viti 2015 e këndej, çdo gjë ka mbetur vetëm premtim i bukur, ndërsa në terren nuk është bërë pothuajse asgjë në drejtim të ndërtimit të digave për mbrojtje të këtij fshati. Banorët shprehen të revoltuar nga kjo lënie pas dore, ndërkohë që me trishtim kalojnë çdo natë kur ka të reshura të shiut.

“Ne s`kemi siguri asnjëherë shkaku i lumit. Gjithnjë rrimë me frikë. Premtime plot, kanë premtuar gjitha qeveritë e s`ka asgjë. Vazhdon ja si sot ditë me shi, por kur ka breshër ne e dimë se çka na pret, sidomos mëhalla jonë. Mbeturina plot në shtrat, edhe pse i marrin rregullisht sërish njerëzit hedhin në lumë. Komuna dhe Qeveria duhet të marrin masa sepse jemi në rrezik, e kemi pa gjithë çfarë hovi ka. Kur vijnë vërshimet tmerr bëhet, sidomos mëhalla jonë këtu”, tha një banor.

“Me i vendos digat mirë është, s`di çka tët them. E di si thonë, “no comment”, s`di çka të them. Duhet të vendosen por ata e dinë vetë”, u shpreh një banor.

“Duhet me i bë mbrojtjet, duhet, sepse shumë dëme bën kur vijnë vërshimet. Por vetëm premtime kanë bë për shumë gjëra. Kanë ardhur kanë shikuar kanë bë matjet kanë premtuar dhe s`kanë bë asgjë”, shtoi një banor.

Gjatë një vizite ditë më parë, kreu i komunës Bilall Kasami, ka premtuar se po punohet në këtë drejtim, madje bashkë me UNDP-në, por pa precizuar saktë se kur do bëhen këto diga mbrojtëse.

“Digat janë një nga masat, ndryshe, bëhet fjalë edhe për mundësinë e ndaljes së vërshimeve që në burim në bjeshkët e Sharrit në Gjermë, rregullimi i shtratit por edhe sinjalistika e paralajmërimit për këto raste. Është ngritur në kuadër të komunave të Pollogut edhe një njësi pune, e cila financohet nga komuna e Tetovës e që do merret me koordinimin e gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me investimet për mbrojtjen e banorëve që jetojnë rrëzë Sharrit, nga përmbytjet që mund të paraqiten kur ka reshje shiu”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Lumi i fshatit Poroj në pjesën e poshtme të tij rezulton i pastër, por jo edhe në pjesën e tij brenda fshatit, ku disa banorë vazhdojnë të hedhin mbeturina. Pa u rregulluar si duhet që nga vërshimet ka mbetur edhe ura e vogël e fshatit, e cila shpesh bllokohet dhe uji del nga shtrati. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme