Simbol i ndarjes dhe vend i tensioneve janë vetëm dy nga mënyrat se si është përshkruar ndër vite ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në dy komuna.
Së fundi, çështja e hapjes së kësaj ure është kthyer në debat publik, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë në hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s.
“Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në njoftim.
E karshi këtij vendimi, ka pasur reagime dhe kritika të shumta.
Madje, ditë më parë, erdhi një pretendim absurd nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili propagandoi se kinse “Albin Kurti dëshiron të kryejë spastrim etnik në Kosovë”.
Vulin theksoi se, KFOR-i duhet të mbrojë serbët e veriut në Kosovë pas vendimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.
“Politika e Kurtit është spastrimi etnik i Kosovës, për t’i pastruar nga serbët dhe kjo mund të bëhet vetëm me dhunë. Sipas rezolutës 1244, KFOR-i është garantuesi i mbijetesës së serbëve në Kosovë. Është detyra e tyre të mbrojnë serbët në Kosovë, është detyra e tyre të sigurojnë që ligji të zbatohet për të gjithë, dhe jo që serbët të arrestohen pavarësisht se kush dhe kur paditet, të mbahen për një vit në paraburgim”, tha Vulin.
Ky i fundit, vazhdon të jetë i sanksionuar nga SHBA, madje edhe BE ka shtuar kritikat ndaj tij kohët e fundit.
Vulin njihet për deklarata skandaloze dhe provokuese ndaj Kosovës, kjo për Kurtin, duket të jetë e radhë, ku me propagandën e tij, vetëm sa po synon të nxisë tensione dhe konflikte të reja.
E në lidhje me këto deklarata nxitëse të Vulinit, dhe faktit se sa mund të ndikojnë në tensionim të situatës, folën njohësit e çështjeve të sigurisë.
Gecaj: Tendencat serbe nuk kan pushuar asnjëherë për ta paraqitur Kosovën si vend dhe projekt i dështuar i shtetndërtimit
Fillimisht, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj u shpreh se qeveria serbe me deklarata të tilla ka për qëllim që para ndërkombëtarëve të paraqitet si viktimë.
Tendencat serbe nuk kan pushuar asnjëherë për ta paraqitur Kosovën si vend dhe projekt i dështuar i shtetndërtimit, prandaj qeveria serbe me deklarata të tilla ka për qëllim që para faktorit ndërkombëtar të duket si viktimë edhe për sa i përket minoritetit serb në Kosovë, por edhe në rrafshin politik të politikës së jashtme dhe asaj të brendshme”.
Gecaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” potencoi se Vulin me deklarata të tilla, synon ta mbajë të mobilizuar mobilizuar nacionalizmin serb.
Ai nuk e anashkaloi edhe mundësinë për një ndezje të një konflikti të ri, por që shkaku që Rusia është në luftë, Serbia nuk ka guximin për një aventurë të re në Ballkan.
“Edhe deklaratat e fundit të Aleksandar Vulin janë në funksion të këtij qëllimi por kjo nuk është e tëra. Në rrafshin e sigurisë, deklaratat e tilla të qeveritarëve serbë mbajnë të mobilizuar nacionalizmin serb dhe njëkohësisht potencialin për destabilizim me grupe terroriste sipas nevojave të politikës ose edhe për një konflikt edhe më të madh, në rast se Serbia bindet që do të mund të kishte mbështetjen e sigurtë të Rusisë në këtë aspekt. Fatbardhësisht, Rusia për shkak të luftës në Ukrainë dhe ballafaqimit me perëndimin nuk është në gjendje t’i ofrojë Serbisë mbështetje konkrete për invazion në Kosovë ose në ndonjë nga shtetet tjera në fqinjësi, prandaj Serbia e vetëdijshme për këtë gjë, nuk ka guximin për një aventurë të re në Ballkan”, vlerësoi Gecaj.
Ndër të tjera, eksperti i sigurisë shtoi se duke parë qëllimet dhe politikën serbe, Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me amerikanët dhe evropianët
“Megjithatë, me qëllim që të mos i përgatitet një terren i përshtatshëm Serbisë për ndërhyrje as me akte terroriste as me angazhim ushtarak, Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me amerikanët dhe evropianët dhe t’i dëgjojë këshillat e tyre në të gjitha aspektet, si ato politike po ashtu edhe të sigurisë. Politika dhe siguria janë të lidhura ngusht me njëra tjetrën, prandaj veprimet e njëanshme eventuale të Qeverisë së Kosovës mund të cenojnë edhe integritetin territorial dhe të sigurisë”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.
Softa: Vulin, ky filo rus!
Kurse, eksperti i sigurisë, Fatojn Softa potencoi faktin se Vulin është politikan i sanksionuar, ku së fundi edhe ka marrë kritika nga ndërkombëtarët.
Ai në një prononcim për “Bota sot” përmendi edhe lidhjet e Vulin me Rusinë, madje edhe vizitën e tij atje.
“Vulin, ky filo rus, ka falënderuar strukturat ruse të sigurisë për “paralajmërimin lidhur me planifikimin e trazirave masive dhe një tentim grushtshteti” në Serbi për çështjen e Litiumit.
Faktori ndërkombëtar me në krye Bashkimin Europian kanë kritikuar politikani e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për vizitën e tij të fundit në Rusi”.
Po ashtu, Softa tha se zëvendëskryeministri serb kishte ‘shpalosur’ edhe planin për ndaljen e Shqipërisë së madhe.
“Unioni Europian ja ka bërë të qartë Serbisë se mbajtja e raporteve me Rusinë në kohën kur Moska po vazhdon agresionin kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e bllokut dhe procesin e anëtarësimit.
Ky politikan ka kritikuar dhe Kryeministrin Rama, gjatë vizitës në Greqi me emigrantët shqiptarë, duke thënë që vetëm Serbia dhe bota serbe mund ta ndalë Shqipërinë e madhe”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.