Në fillim të muajit tetor Gjykata Kushtetuese do ta vendos në rend dite Ligjin e Gjuhëve, përkatësisht lëndën e formuar që nga viti 2019. Kreu i Kushtetueses thotë se lënda është e ndërlikuar dhe voluminoze, pasi përbëhet nga 13 nisma të ndryshme, nga parti politike dhe shoqata. Darko Kostadinovski në intervistën për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA, thotë se ligji ka shkaktuar kaos juridik, i cili sipas ka rezultuar me kaos politik. Kostadinovski thekson se barra më e madhe për këtë çështje siç e quan të ndërlikuar bie mbi Gjykatën Kushtetuese, por zotohet për vendim të shpejtë pa marrë parasysh shkallën e ndjeshmërisë.
“Me këtë ligj politika shkaktoi kaos juridik të llojit të vet, i cili rezultoi me kaos politik, mosbesim, dilema. Opinioni veçmë e ka parë edhe raportin e Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese është në veprim, jo për të marrë vendim të mençur por për të marrë vendim të argumentuar juridiko-kushtetues. Çfarë do të mund të ndodhte, nuk e di dhe as që mund ta di dhe nuk do të komentoj. Jemi të vetëdijshëm për interesin publik dhe pasojat e mundshme nëse gjykata vendos ta shfuqizojë ose ta lë në veprim këtë Ligj, ose të intervenojë në dispozita të caktuara, mund të ketë të pakënaqur. Ajo që është e rëndësishme, është të shihen argumentet në mënyrë objektive në vendimin çfarëdo që të jetë, para se të jepet çfarëdo komenti. Vendimi i Gjykatës duhet të respektohet dhe pranohet si reflektim i pjekurisë së politikës dhe shoqërisë, vendimi të jetë orientues, kornizë për veprimin e ligjvënësit. Është fakt se Ligji zbatohet dhe krijon probleme në zbatim, dhe në këtë aspekt nga 1 shtatori me hyrjen në fuqi të Aktit të ri të Gjykatës, me qëllim që të mos ketë pasoja të dëmshme për qytetarët, Gjykata Kushtetuese ka mundësi me vendim eventual për inicimin e procedurës të përcaktojë afat kohor, ligjvënësi duhet të pajtohet dhe t’i mënjanojë dispozitat eventuale kushtetuese problematike në afat, jo më shumë se 6 muaj. Unë nuk mund të parashikoj nëse do të vijë deri te kjo”, tha Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Në pyetjen se a mund të pritet vendim politik nga ana Gjykatës Kushtetuese nëse ky do të ishte çmimi i paqes në shtet, duke pasur parasysh se tangohen partnerë koalicioni jo vetëm në qeverinë aktuale por në çdo qeverisje, Kostadinovski tha se si vend anëtar i NATO-s duhet të mësohemi t’i pranojmë vendimet e Kushtetueses pa emocione.
“Gjykata Kushtetuese në asnjë rast nuk merr vendime politike, por vendime kushtetuese të cilat padyshim ndikojnë në çështje dhe procese të rëndësishme politike në shtet dhe ky është fakt. Kyçe për lëndë të këtilla është së pari të vendoset në kohë, lëndët të mos mbahen në sirtarë me vite, sepse në këtë mënyrë edhe ven mosveprimi i Gjykatës është një lloj vendimi, si mbështetje për kompromiset politike. E dyta është çështja e pjekurisë demokratike, nëse u bëmë anëtare e NATO-s, nëse jemi gati të negociojmë e BE-në, kjo nënkupton se tashmë ndajmë vlera që janë karakteristike për një demokraci të qëndrueshme, ndërsa në kalimin drejt pjekurisë demokratike duhet mësuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohen dhe të respektohen si vendime, në të cilat nuk do të ketë aspekte emocionale, politike, fetare ose etnike, por argumente të pastra juridike”, shtoi Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski në intervistë foli edhe për Balancuesin, i cili është në rend dite në Gjykatën Kushtetuese në 18 shtator. Ai tha se pritet debat me fakte dhe argumente juridike-kushtetuese. Sipas tij Balancuesi është dërguar në Kushtetuese nga një institucion shtetëror dhe çështja e parashtruar në Gjykatë sipas tij pa dyshim krijon dilema në shoqëri dhe detyrë e Kushtetueses është të shmangen dilemat në mënyrë që do të pranohet nga të gjithë./Alsat.mk