Gazetar: Suad Bajrami
Gjykatësi Pajazit Pajaziti, ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit efektiv me atë shtëpiak pa dhënë sqarime shtesë për arsyet, ndërkaq nuk ka caktuar mënyrën se si policia do ta kryejë mbikëqyrjen. Ky është konstatimi i Komisionit të Këshillit Gjyqësor, i cili tre javë e shqyrtoi veprimin e Gjykatës Penale për Ramadanin, pasi u arratis nga paraburgimi shtëpiak.
“Gjykatësi i procedurës paraprake, ka miratuar vendim me të cilin i është caktuar masa e paraburgimit shtëpiak në të cilën ka dhënë arsye, por jo të ndryshme nga ato që i ka dhënë gjatë caktimit të paraburgimit. As në atë vendim ka caktuar mënyrën e mbikëqyrjes nga ana e MPB-së – SPB Shkup, Stacioni Policor Çair”, deklaroi Aleksandar Kambovksi, gjykatës raportues, anëtar i Këshillit.
Raporti u miratua njëzëri nga të gjithë anëtarët, megjithatë Komisioni nuk jep rekomandime se çfarë do të bëhet më tej dhe nëse do të kërkohet përgjegjësi nga gjykatësi paraprak Pajaziti, ndonëse të gjithë anëtarët e Këshillit kanë mundësi ta bëjnë. Në seancën e ditës së marte mund të diskutohet për përgjegjësinë e gjykatësit Pajaziti, derisa dikush nga anëtarët e këshillit, duke u referuar në raport konstaton sa ke përgjegjësis subjektive të gjykatësit.
Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikën kufitare në Jazhincë, në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia në Interpol. Për dy javë, ai qëndroi në paraburgim ekstradues në Shutkë më kërkesë të prokurorisë së Islam Abazin, ndërsa më pas, gjykatësi Pajazit Pajaziti ia ka zëvendësuar masën me paraburgim shtëpiak, e cila, duhej të zgjatë derisa Gjykata Supreme të japë fjalën e fundit për çështjen e ekstradimit. Për këtë, Prokuroria ka dorëzuar ankesë. Ndaj ankesës së Prokurorisë, ka vepruar Këshilli Penal prej tre gjyqtarëve, të cilët më 14 gusht e kanë rrëzuar vendimin e Pajazitit dhe e kanë rikthyer vendimin për dërgimin e Ramadanit sërish në Shutkë. Megjithatë, në po të njëjtën datë, Ramadani është arratisur. Më 23 gusht, Supremja e rrëzoi vendimin e Gjykatës, duke kërkuar që çështja e Ramadanit të gjykohet sërish, ndonëse Ramadani nuk ndodhet në shtet.
Arrestimi, e aq më shumë arratisja e Ramadanit, bëri bujë të madhe dhe u bë shkas që institucionet t’ia drejtojnë gishtin njëra tjetrën për përgjegjësinë. Konflikti më i madh ishte mes Gjykatës Penale dhe Policisë. Gjykata, arsyetohej se ata nuk janë përgjegjës për arratisjen e tij pasi që në shtet ka polici, e cila duhet të kujdeset për këtë çështje, sigurimin e personave nën e kujdesit, lokacionin dhe mbi gjitha pikat kufitare. Por nga Policia theksojnë se Gjykata ka bërë precedent kur i ka caktuar Ramadanit paraburgim shtëpiak, në një adresë të huaj edhe pse ai nuk ishte shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Krahas luftës mes institucioneve, çështja Ramadani ishte në objektivin ditor të partive politike. Opozitarja LSDM, akuzoi se arratisja e Ramadanit është bërë nga strukturat policore në vend dhe për këtë, kërkoi dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Megjithatë, VMRO-DPMNE-ja, përgjegjësinë e kërkoi te gjykata, për arsye të zëvendësimit të paraburgimit efektiv me atë shtëpiak. Për këtë, partia në pushtet kërkoi disa herë që të shkaktohet gjykatësi Pajazit Pajaziti, të cilin, kryeministri Hristijan Mickoski, e quajti gjykatës të preferuar të LSDM-së dhe BDI-së. Jo zyrtarisht një subjekt politik ka ngritur dy kallëzime penale për çështjen e Ramadanit. Një, ndaj ministrit të brendshëm dhe tjetrin ndaj drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare.
Çështja Ramadani, ka shkaktuar përplasje edhe te blloku politik shqiptar. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, duke akuzuar për paaftësi koalicionin në pushtet VLEN, disa here kanë theksuar qëndrimin se me arratisjen e Ramadanit ka dështuar plani i Vuçiqit dhe qeverisë maqedonase, për ekstradimin e ish ushtarit të UÇK-së i cili po përndiqet me urdhër të qeverisë serbe. Ndërkohë VLEN ka akuzuar BDI-në se është përpjekur të flijojë Blerim Ramadanin për të shkaktuar tensione dhe prishje të raporteve me Kosovën. /Alsat.mk