Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, i cili gjendet për vizitën në Kosovë, tha se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në arenën ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Pas takimit me homologen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, të dy kryediplomatët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Duke folur për vizitën e tij në vend, Fidan tha se “kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por edhe vëllezërit tanë”.
Kryediplomati turk gjithashtu foli edhe rreth mbështetjes që Türkiye i jep Kosovës.
“Ne e kemi mbështetur gjithmonë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë ta mbështesim”, tha Fidan.
Ministri turk pritet të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit. Ai përveç takimeve me zyrtarë të tjerë do të vizitojë edhe qytetet Prizren dhe Mamushë, si dhe selinë e KFOR-it, ku Türkiye nga tetori i vitit 2023 mban kryesimin.
Në Prishtinë, ministri Fidan udhëtoi pas vizitës së tij të djeshme në Maqedoninë e Veriut.
– Marrëdhëniet Türkiye-Egjipt
Fidan, mes tjerash theksoi dëshirën e përbashkët për të zhbllokuar potencialin e plotë të partneritetit mes Türkiyes dhe Egjiptit.
“Egjipti dhe Türkiye kanë një vullnet të fortë për të realizuar potencialin e plotë të të dy vendeve, si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe në çështjet rajonale”, tha Fidan në përgjigje të pyetjes së një gazetari.
Fidan shtoi se zyrtarizimi i marrëdhënieve “brenda një kuadri sistematik” mund të shërbejë si një model për rajonin.
Komentet e ministrit turk pasojnë vizitën e presidentit egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, të mërkurën në kryeqytetin turk Ankara.