Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, është shprehur se për të rritur sigurinë e nxënëseve në shkolla është rritur numri i oficerëve të sigurisë.
Manastirliu u shpreh se fëmijët përballen me rreziqe si ngacmime, agreson e dhunë, ndërsa theksoi se “janë bërë përpjekje për të krijuar mburojën e sigurisë në shkolla”.
Ajo theksoi se “kemi një armatë të oficerëve të sigurisë në shkolla, 240 të cilët në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, me komunitetin, bordin e prindërve, po bëjnë një punë të lavdërueshme.”
Ministrja deklaroi se me buxhetin e vitit 2025 do të rritet akoma më shumë numri i punonjësve të sigurisë në shkolla, si edhe do të fuqizohet rrjeti i parandalimit dhe sinjalizimit të fenomeneve të padëshiruara.
Manastirliu: “Ne jemi të ndërgjegjshëm për rreziqet që përballen fëmijët tanë, ngacmime, agresioni dhe dhuna, sigurisht edhe ajo online, bullizmi. Fenomene që janë shtuar nga përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Mendojmë se përpjekjet janë bërë për të krijuar mburojën e sigurisë në shkolla, kemi shtuar numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla çdo vit.
Kemi jo pak, por armatë të oficerëve të sigurisë në shkolla, 240 të cilët në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, me komunitetin, bordin e prindërve, po bëjnë një punë të lavdërueshme. Është e rëndësishme të fuqizojmë rolin e tyre. Paga e tyre u rrit me afro 20% duke garantuar të jenë më të motivuar dhe figura e tyre të ketë më shumë autoritet në shkolla.
Jemi duke punuar për një trajtim për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e fëmijët. Oficerët e sigurisë nuk janë ruajtësit e rendit, por kanë mision për të siguruar ambiente të paqtë, për të informuar në kohë mësuesit e prindërit, për të bashkëvepruar me punonjësit sociale dhe psikologët brenda shkollës.
Fokusi i tyre është parandalimi, si të afrohemi me nxënësit, si të kuptojmë që fëmija ka përjetuar një ngjarje të padëshirueshme, që mund të përkthehet në sjellje agresiviteti, përdorimin e alkoolit, drogërave, duhanit, janë fenomene prezentë. Nëse duam t’i eliminojmë, duhet ti pranojmë që ekzistojnë. Ky sistem i sigurisë së fëmijëve do të fuqizohet.
Me buxhetin e vitit 2025 do të rrisim edhe më shumë numrin e punonjësve të sigurisë në shkolla, do të fuqizojmë më shumë rrjetin e parandalimit dhe sinjalizimit të fenomeneve të padëshiruara.