Shqiptarët tani ikin për të punuar! BE dha 3 mijë leje në dy vjet, kryeson Gjermania me kontrata pune të rregullta

Në 2023 Gjermania dha gati 5 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë që kanë shkuar të punojnë në destinacionin që po tërheq më shumë profesionistë së fundmi.


Të dhënat janë publikuar në database-n e Eurostat. Ndërsa Italia kryeson në përgjithësi për lejet e qëndrimit që jepen në total, kur bëhet fjalë për punësimin është Gjermania ajo që për herë të parë ka marrë kryesimin.

Mjekë, infermierë, specialistët të IT-së apo dhe të tjerë po lënë vendet e tyre të punës në Shqipëri dhe po emigrojnë me kontrata të rregullta në Gjermani. Ky i fundit ka dhënë 10 mijë leje qëndrimi për arsye punësimi në vetëm 2 vjet (2022-2023).

Italia ka kaluar në shtetin e dytë që jep më shumë leje qëndrimi për ta që duan të punojnë. Shteti fqinjë dha 3200 leje, me një rënie prej 44% në raport me një vit më parë. E treta është Greqia, me 2838 lekë, me tkurrje 8%.

Të preferuara dhe Kroacia e Malta

Dy destinacione të tjera që po rezultojë tërheqëse për punonjësit shqiptarët janë Kroacia dhe Malta. Që nga viti 2019, Kroacia jep mesatarisht rreth 2 mijë leje të reja qëndrimi për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë. Burimet nga tregu pohojnë se ata punojnë kryesisht në ndërtim, për shkak të pagave të mira, apo dhe në turizëm në sezon.

Malta është shteti tjetër që po tërheq shqiptarë për të punuara, kryesisht në turizëm. Në 2022 Malta dha mbi 1800 leje, ndërsa në 2023 numri i tyre ra në gati një mijë. Pas Maltës renditen Polonia (772), Sllovakia (668), Franca (580), Suedia (303).

Në dy vjet u dhanë 39 mijë leje qëndrimi për ata që kanë ikur për të punuar

Vala e re e emigrimit duket se është e orientuar në një masë të madhe dhe nga punësimet direkte, krahas arsyeve familjare, që historikisht kanë dominuar (në 2023 përbënin 55% të totalit).

Në vitin 2013, lejet e dhëna për arsye punësimi përbënin 12% të totalit, ndërsa në 2022-2023 ato zinin rreth 25%, sipas të dhënave të Eurostat.

Numri i lejeve të qëndrimit për herë të parë të dhëna gjithsej nga shtetet e BE-së për shtetasit shqiptarë që duan të punojnë ka shënuar rritje të ndjeshme që pas pandemisë. Në 2022 u arrit niveli më i lartë rekord, të paktën prej nga viti 2013 që raportohen të dhënat, në 21 mijë. Në 2023 u dhanë 17.6 mijë leje.

Në vetëm dy vjet, shtetet e BE-së kanë dhënë gati 39 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë që kanë ikur për të punuar.

Në 2023 u dhanë gjithsej 75 mijë leje qëndrimi nga vendet e BE-së

Sipas Eurostat, se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të parë (shifra është rishikuar në rritje me rreth 4 mijë persona, nga raportimi i një viti më parë).

Këto janë nivelet më të larta që nga 2010-a, duke treguar për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme