Barometri i Ballkanit/ Rritet papunësia në Shqipëri, niveli më i lartë rajonal! Si renditet Kosova

Këtë vit, INSTAT nuk ka publikuar asnjë tregues në lidhje me punësimin në vend, për shkak të përputhjes së Anketës së Forcës së Punës me të dhënat e reja të popullsisë që buruan nga Cens 2023.


Por të dhënat nga anketa e Barometrit të Ballkanit 2024 treguan normë të lartë papunësie në mesin e të anketuarve në Shqipëri.

Nga 1000 të pyetur, 20% ishin të papunë në vendin tonë, niveli më i lartë rajonal dhe me diferencë nga të tjerat.

Mesatarja rajonale e papunësisë në mesin e të anketuarve ishte 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezultoi në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%.

Në mesin e të anketuarve gjithashtu Shqipëria kishte vetëpunësimin 15%, niveli më i lartë në Rajon, për rrjedhojë kemi përqindjen më të ulët të të punësuarve me pagë.

Në 1000 persona të pyetur në vendin tonë, 39% e tyre ishin të punësuar me pagë, Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%.

Nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, një përqindje e madhe në Maqedoninë e Veriut (21%) dhe në Serbi (28%) ishin pensionistë.

Në shqyrtimet tremujore të ecurisë së ekonomisë, Banka e Shqipërisë nëpërmjet të dhënave alternative referoi se ka rritje më të ngadaltë të punësimit më 2024.

Treguesit e vrojtimeve tregojnë se pritjet e bizneseve për punësimin janë zvogëluar gjatë tremujorit të parë, ndërkohë që situata vlerësohet e përmirësuar gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual.

Treguesi i punësimit ndoshta do të pësojë ndryshimin më të fortë nga të dhënat e reja të Cens 2023. Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është reduktuar në mënyrë të ndjeshme në periudhën ndërmjet dy censeve 2011-2023 sipas të dhënave të INSTAT.

Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987 me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e Cens 2011.

Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.

Në fund të vitit 2023, ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune./Monitor

ST

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme