Presidentja Gordana Siljanovska Davkova prej sot po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e kryeson delegacionin shtetëror të Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Siljanovska Davkova të enjten është paraparë të flasë në Debatin e Përgjithshëm të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, që mbahet në temën “Duke mos lënë askënd pas: duke vepruar bashkë për avancimin e paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe dinjitetit njerëzor për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme”.
Siç njofton raportuesi i MIA-s nga Nju Jorku, në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së është paraparë që presidentja Siljanovska Davkova të realizojë takim edhe me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh.
Shefja e shtetit do të flasë edhe në Samitin e së Ardhmes, që do të mbahet në selinë e KB-së, me temën “Zgjidhje shumëpalëshe për një të nesërme më të mirë” me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive. Siljanovska Davkova do të marrë pjesë edhe në Takimin Vjetor të Platformës së Grave – lidere të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me temë “Pjesëmarrja e barabartë e grave në procesin e vendimmarrjes: sigurimi i paqes, mundësive socio-ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm dhe dinjiteti njerëzor për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, ndërsa me ftesë të presidentit të SHBA-së, Xho Bajden do të marrë pjesë në një takim me temën “Koalicioni global për të përballje me kërcënimin nga drogat sintetike”.Gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, presidentja Siljanovska Davkova do të realizojë shumë takime dypalëshe.
Presidentja Siljanovska Davkova fillon sot vizitën e saj në SHBA në Kishën Ortodokse Maqedonase “Shën Nikolla” në Totova, Nju Xhersi, ku do të marrë pjesë në liturgjinë me rastin e festës së Lindjes së Shën Mërisë. Pasdite, presidentja së bashku me delegacionin në Friholld do të vizitojë edhe xhaminë në kuadër të bashkësisë civile “Dibër” në Nju Xhersi, që bashkon qytetarët tanë nga zona e Dibrës.
Në përbërje të delegacioni shtetëror të Maqedonisë së Veriut janë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësnor, Izet Mexhiti.