“Lluga” te rruga e njohur si rruga e “Jahja Pashës”, Ganiu dhe Qyteti i Shkupit  hedhin fajin te njëri-tjetri – Zgjidhje s’ka!

Gazetar: Suad Bajrami

Kaosi në qarkullimin rrugor në rrugën Cvetan Dimov apo të njohur si rruga e “Jahja Pashës” është përditshmëri, sidomos në oraret kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej pune, shkruan Alsat.

Zgjidhje për arterien kryesore të Çairit që të lidh me qendrën e Shkupit, është premtuar disa herë, por situata vazhdon të mbetet e njëjtë.

Kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu për Alsat thekson se Qyteti i Shkupit jo vetëm nuk e zgjeron rrugën, por edhe më shumë e vështirëson gjendjen duke u dhënë leje objekteve dhe kioskave përreth rrugës, të cilat shtohen në numër.

“Le që nuk e rregullon rrugën, por investon për ta vështirësuar funksionimin. Aty investojnë për ta vështirësuar. Ju e keni parë në atë rrugë se sa trafika kanë marrë leje, sa objekte të cilat janë me karakter të përkohshëm, të gjitha janë me leje nga Qyteti i Shkupit për shkak se ata i kanë ingerencat. Ata e bëjnë ta vështirësojnë rrugën Cvetan Dimov, jo të bëjnë zgjidhje”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Ganiu thekson se Komuna e Çairit është e gatshme që me fondet e saj të marrë përsipër rregullimin e rrugës, por fillimisht Qyteti duhet të pajtohet që t’ia bartë kompetencat.

“Ne kemi me ndarë buxhet që edhe vetë ta rregullojmë atë rrugë, por kuptohet që duhet me na i bartë ingerencat që ne ta rregullojmë. Pasi që ta rregullojmë t’ia kthejmë qytetit të Shkupit. Ne jemi të gatshëm edhe një gjë të tillë ta bëjmë, por a ka vullnet nuk e di”, u shpreh Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Në maj të vitit 2023, Qyteti i Shkupit, ndau 140 milionë denarë ose afërsisht 2,3 milionë euro për zgjerimin e rrugës. Projekti parashikonte që rruga të ishte gati deri në maj të vitit 2025.

Megjithatë, Qyteti i Shkupit vetëm 7 muaj më vonë i tërhoqi paratë për të, nën arsyetimin se paratë kanë qenë lëndë e përmbarimit për shkak të borxheve nga udhëheqësia paraprake e qytetit në krye me Petre Shilegovin.

Sot, nga Qyteti i Shkupit theksojnë se paratë janë parashikuar për tri vitet e ardhshme, por presin që Komuna e Çairit të hartojë projektin e rishikuar urbanistik.

“Qyteti i Shkupit ka miratuar vendim për bashkëpunim ndërkomunal me Komunën e Çairit për përpunimin e dokumentacionit projektues dhe ndërtim të rrugës Cvetan Dimov nga udhëkryqi me bulevardin “Nikolla Karev” deri dhe me udhëkryqin “Xhon Kenedi” dhe rrugën “Hristijan Todorovski Karposh. Qyteti i Shkupit duhet të marrë pjesë me me 140 milionë denarë me TVSH. Në Buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2024, 2025 dhe 2026 janë parashikuar mjete për këtë qëllim, por Komuna e Çairit ende nuk ka hartuar projektin e reviduar urbanistik dhe për ato arsye nuk mundet të jepet miratim për ndërtim”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ganiu nga ana tjetër, ankohet se kryetarja e Shkupit nuk ka kurrfarë komunikimi. Çështja e rrugës “Cvetan Dimov”, u premtua, por nuk u zgjidh as gjatë mandatit të kryetarit paraprak të Shkupit Petre Shilegov.

Në kohën e Shilegovit, u vendos një mur ndarës me qëllim që të parandalohet kthimi në mes të rrugës i veturave. Zgjidhja, asokohe u premtua si e përkohshme, por kanë kaluar katër vjet e gjysmë prej atëherë dhe muri ende nuk është hequr. / Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme