Vetëm dy ditë më parë, Komisioni i Posaçëm i ngritur për përzgjedhjen e postit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, përfundoi vlerësimin e kritereve ligjore të kandidatëve. Nga lista e aplikantëve, vetëm 11 prej tyre arritën që të kalonin këtë fazë.
Ditën e nesërme, me datë 25 shtator, do të nisin seancat dëgjimore të këtyre 11 kandidatëve përballë Komisionit të Posaçëm.
Në këtë seancë, aplikantët do të shpalosin platformat e tyre për drejtimin e Policisë së Shtetit.
11 kandidatët që kanë arritur deri në këtë fazë janë:
- Adriatik Tafçiu
- Altin Mena
- Ardian Çipa
- Gentjan Shehaj
- Idajet Faskaj
- Ilir Proda
- Lutfi Minxhozi
- Neritan Nallbati
- Pëllumb Seferi
- Rebani Jaupi
- Skënder Hita
Komisioni i Posaçëm është i përbërë nga një zv.ministër i Brendshëm, Sekretari i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Këta të tre do të bëjnë vlerësimin e kandidatëve me pikë.
Ai i cili do të përfitojë më shumë pikë, do të jetë emri që Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, do i propozojë Kryeministrit, Edi Rama, për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Kujtojmë se një ditë më parë u zbuluan katër emrat të cilët u skualifikuan nga gara, të cilët ishin Shemsi Prençi, Ibrahim Disha, Hajrulla Xhivini dhe Sami Rasha.
Përgjatë Komisionit të Sigurisë Kombëtare të zhvilluar ditën e djeshme, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha u shpreh se brenda kësaj jave pritet publikimi i emrit fitues të kësaj gare.
“Unë ju bëra me dije procedurën, në dijeninë time janë skualifikuar 4 kandidatë. Procedura do të vazhdojë në ditët në vijim. I është dërguar agjencive të zbatimit të ligjit shkresë për konfirmimin e pastërtisë së figurës. Priten përgjigjet dhe në bazë të përgjigjeve komisioni do vlerësojë kandidatin dhe më vonë do vijojë intervistimin. Brenda kësaj javë ministri i Brendshëm do ti propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin i cili do të jetë i aftë për ta fituar këtë gara”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.