Operacioni antidrogë në katër shtete, Prokuroria italiane lëshon 61 urdhërarreste, në pranga 43 shqiptarë! Zbardhet skema e organizatës

Një operacion i përbashkët i autoriteteve italiane, shqiptare, zvicerane dhe polake, i koordinuar nga Eurojust, çoi të mërkurën në goditjen e një organizate që merrej me trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, kryesisht në Itali. Prokuroria italiane e Brescia-s njoftoi se ishin lëshuar në total 61 urdhëra arresti, për anëtarët e organizatës që përbëhej kryesisht nga shqiptarë.


Mësohet se të paktën 43 shqiptarë janë arrestuar në Itali, ndërsa në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bëri të ditur se ka arrestuar dy pjestarë të tjeë të grupit. Gjatë hetimit, i cili ka zgjatur 4 vjet, janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro cash.

Sipas autoriteteve italiane organizata e importonte kokainën nga Amerika Latine përmes anijeve tregtare, në Spanjë dhe Hollande, duke e transportuar më pas në Itali ku kishte 5 baza logjitisko-operative, në zonat veriore, në Brescia, Varese dhe Pisa. Të ardhurat nga shitja e drogës i kalonin një organizate paralele italo-kineze e cila ofronte një lloj shërbimi të fshehtë bankar për transferimin e kapitaleve të paligjshme jashtë vendit.

Një shtetas kinez me banim në Brescia merrej me procesin e pastrimit të parave, përmes një sistemi kompleks, faturash false, vlera e të cilave shkonte në 375 milionë euro.

Më herët, gjatë hetimeve, ishin arrestuar dhe 21 anëtarë të tjerë të grupit, si dhe ishin sekuestruar 2.5 milionë euro cash, si dhe armë, munizione apo dhe automjete të ndryshme.

Në Shqipëri gjatë operacionit të sotëm, u kontrolluan 21 banesa dhe ambjente të tjera, kryesisht në zonën e Manzës, pranë Durrësit si dhe u sekuestruan “30 mijë Euro, 6 mijë Paund, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale”./VOA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme