Gazetar: Bashkim Sulejmani
Banorët e Komunës së Zhelinës akoma vazhdojnë të udhëtojnë deri në 40 kilometra për tu pajisur me dokumente personale. Nga gjithsej 18 fshatra sa ka komuna e Zhelinës, gjashtë janë malor. Banorët e zonave më të thella për të nxjerrë një letërnjoftim duhet të bëjnë mbi 2 orë rrugë vajtje ardhje. Banorët kërkojnë që MPB të hapë një zyrë në këtë komunë
“Me ardh në Grupçin do reduktohen edhe harxhimet edhe koha. E keqja është se në Drvendin e epërm, nga hyrja në Rogle e deri në Zhelinë nuk kemi as linjë autobusi as privat nuk kemi. S’kemi me çka udhëtojmë se kombi rrallë ka”, tha një banor.
“Larg është tepër por ne që kemi transport e shkojmë vet s`është problem por kemi pleq që s`kanë si shkojnë deri në Tetovë”, shtoi një banor tjetër.
“Nga këtu sa ka nëntë kilometra po plus paguajmë udhëtim. Vetëm kombi kemi neve dhe paguajmë nga 70-80 denar”, tha një banor.
“Deri në Tetovë shkojmë për dokumentet, 15-20 kilometra ka, po plus edhe rend presim shumë”, shtoi një banor.
Kreu i Zhelinës Blerim Sejdiu tha se çdo vit lëshon kërkesa në MPB për një zyrë për dokumente personale, por akoma nuk ka marrë një përgjigje pozitive.
“Ne që herën e parë kur erdhëm në komunë të Zhelinës, ka qenë kërkesa më e shpeshtë që kemi kërkuar nga ministria e punëve të brendshme, madje edhe me shkresa zyrtare për të pasur një pikë ku do nxirën dokumentet personale, dhe këtë e kemi bë çdo vit, mirëpo përgjigje nuk kemi pasur fatkeqësisht. Edhe pse nga ish ministrat e Punëve të brendshme kemi pasur premtime, por një hap të tillë konkret nuk ka pasur”, tha Blerim Sejdiu, Kryetar i komunës së Zhelinës.
Në zonat rurale të Tetovë, u hap vetëm pika e pajisjeve me dokumente personale në komunën e Tearcës. Hapja e pikave tjera ishte premtuar gjatë kohë, por asgjë konkrete. Shkaku i mungesës së pikave për pajisje me dokumente personale nëpër komunat rurale, shpesh në policinë e Tetovës bëhen radhë të gjata për të marrë letërnjoftimet e pasaportat./Alsat.mk