Janë lënë në burg 5 punonjës të Bashkisë Rrogozhinë, pasi akuzohen se kanë abuzuar me fondet e rindërtimit, duke i shkaktuar rreth 353 milion lekë dëm buxhetit të shtetit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masat “arrest me burg” për pesë zyrtarë të Bashkisë Rrogozhinë të cilët akuzohet se kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit” dhe “Mashtrimit” me fondet e rindërtimit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 353.471.090 lekë.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për shtetasit: M.M. (ish-punonjës i Bashkisë Rrogozhinë), Xh.U. (aktualisht përgjegjëse e zyrës së Rinisë dhe Sportit Bashkia Rrogozhinë), B.B. (punonjës në Bashkinë Rrogozhinë), E.L. (ish-punonjës Bashkia Rrogozhinë), E.R. (aktualisht specialiste në zyrën e burimeve njerëzore, Bashkia Rrogozhinë).
Nga hetimi rezulton se shtetasit e sipërcituar kanë kryer veprat e mësipërme penale në te paktën 78 raste. Nga hetimi rezulton se banesat për të cilat është dhënë dëmshpërblimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti nuk kanë qenë për strehim por në dosjet e tyre janë shënuar objekte të tjera, përfshi dhe kasolle të derrave e lopëve.
Gjithashtu, krahas personave të ndaluar, në hetim janë dhe 78 shtetasit të cilët kanë bashkëpunuar për përfitimin e fondeve të rindërtimit. Këta të fundit akuzohen për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.