Mickoski prezantoi 100-ditëshin e qeverisë së tij

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Hristijan Mickoski, në prezantimin e 100-ditëshit të parë të qeverisë filloi me ankesa për gjendjen në të cilën gjeti institucionet që trashëgoi nga pushteti i kaluar.

“Situata e trashëguar është shumë herë më keq se sa e pritëm. Gjendja është larg ideales. Trashëguam 20 milion euro boshllëk në arsim dhe kolaps të projektit për libra pa pagesë. Trashëguam shtet të bankrotuar, mungesë rregulli, ndërtim i frenuar i autostradave, 4 miliard denarë borxh për bujqit, 150 milion euro borxhe në shëndetësi, 80 milion euro boshllëk në Elektranat e Maqedonisë, rroga të papaguara në Pyjet e Maqedonisë dhe ujësjellës, trashëguam buxhetin vjetor të harxhuar për vetëm gjashtë muaj, një shtet nga i cili të rinjtë ikin dhe 600 mijë qytetarë që jetojnë vetëm me 150 denarë në ditë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Mickoski u lavdërua me 250 milion eurot e ndara për komunat, zgjerim të listës pozitive të ilaçeve, 4 investime të huaja, pagesën e subvencioneve të mbetura nga pushteti i kaluar, libra për nxënësit, marrjen e licencave të lojërave të fatit dhe për disa projekte të tjera. Ai tha se është 100% i kënaqur nga secili funksionar që ka emëruar.
Mickoski tha se ka pasur kritika për vonesën e reformave në gjyqësor. Sipas tij, deri dje ka rrjedhur afati që secili të mund të propozojë strategji për reforma në këtë sektor. Meqë nuk ka marrë asnjë propozim, Mickoski tha se që sot fillon zbatimin e strategjisë së tij, pa potencuar se cilat hapa do të ndjekë.

“Ju lutem të jeni të durueshëm sepse procesi është i vështirë sepse kemi gjyqësor dhe prokurori të partizuar dhe të robëruar. Kemi metodologji dhe plan të qartë se si duhet të vazhdojmë. Kemi në plan të konsultojmë ekspertë të cilët duhet t’i angazhojmë në periudhën që vjen dhe do të dalim me plan veprimi se si ta bëjmë këtë sepse kjo nuk varet nga shteti, nuk varet nga qeveria por varet nga organet e drejtësisë, nga gjykatësit dhe nga prokurorët”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kryeministri tha se koalicioni qeveritar është stabil, në harmoni dhe me frymë miqësore. Ai tha se opozita bën përpjekje por nuk do të mundet ta prishë këtë harmoni. Fakti që BDI-ja ka mbështetur disa politika të pushtetit, sipas tij, nuk është nënkupton afrim me to.

“Ka të tillë që thonë se VMRO-DPMNE-ja u dha shumë partnerëve të koalicionit nga VLEN-i ose të ZNAM-it. Ka edhe të tillë që thonë se VMRO-DPMNE-ja i ka nënçmuar partnerët e koalicionit dhe u ka dhënë shumë pak. Unë i dëgjoj të gjitha këto deklarata që vinë nga opozita e dëshpëruar, njëra parti që lufton të mbijetojë në skenën politike dhe tjetra që përmes retorikës nacionaliste lufton të kthehet në skenën politike. Ata mendojnë se me këto mesazhe do të fusin përçarje dhe mosbesim në kuadër të këtij koalicioni. Mundem t’i zhgënjej dhe t’u them se jo vetëm që s’do jenë të suksesshëm por që sjellja e tyre e forcon frymën tonë të përbashkët”, shtoi ai.

Në prezantimin e 100-ditëshit, Mickoski tha se nuk do të heqë dorë nga dy gjëra, nga interesi i qytetarëve dhe ruajtja e krenarisë së tyre si dhe nga realizimi i interesit strategjik, anëtarësimi në BE. Sipas tij, këto dy çështje nuk janë në konflikt me njëra tjetrën dhe mund të realizohen. I pyetur për deklaratën e zv.kryeministrit Izet Mexhiti që ndryshimet kushtetuese mund të bëhen deri në fund të vitit, Mickoski tha se është i interesuar për marrëveshje dhe kompromis por pa nënçmim dhe diktat. Ai nuk flet për afate.

“Pikërisht këtë e ofroi miku i madh evropian Viktor Orban; ja, ne kemi presidencën e BE-së, ejani të bisedojmë. Unë pranova dhe tregova kontruktivitet nga ana jonë. Më vjen keq që pala tjetër nuk pranoi. Por unë mbetem në dispozicion, ku të thonë ata, të bisedojmë aq sa është e nevojshme, me orë, me ditë, të vendosim gjithçka në tavolinë dhe ta zgjidhim këtë njëherë e përgjithmonë. Por, të hyjmë tani në një proces që nuk do ta na garantojë fund të suksesshëm, s’do ta bëj, s’do të jem naiv dhe s’do t’i tradhtoj pritshmëritë e qytetarëve”, shtoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Qeveria u zgjodh më 23 qershor, pas zgjedhjeve të mbajtura më 8 maj./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme