Gazetare: Melihate Rustemi
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani tha se 100 ditë janë shumë pak për t’u dëshmuar qytetarëve se dikasteri që ai drejton është seriozisht I përkushtuar për të bërë ndryshime dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Siç tha Limani, në 100 ditët e para, kjo Ministri u ballafaqua me projekte të ngecura, mungesë mjetesh apo të paplanifikuara për pagesat rrjedhëse, punonjës të pakënaqur dhe të pamotivuar nëpër institucione, por mbi të gjitha qytetarë të zhgënjyer me situatën në përgjithësi në vend, të krijuar nga strukturat e mëparshme qeveritare.
“Gjënë e parë që e realizuam, nga e cila përfitojnë një numër i madh qytetarësh, ka të bëjë me kategorinë tonë më të moshuar të qytetarëve-pensionistët. Premtuam dhe e realizuam. Më 1 tetor, rreth 340.000 pensionistë kanë marrë pensione më të larta për 2.500 denarë. Më 1 prill, me pensionin e marsit, do të marrin edhe 2.500 denarë, në përputhje me ndryshimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, që e garanton këtë. Kjo nënkupton 5.000 denarë pensione më të larta për çdo pensionist”, deklaroi Fatmir Limani, ministër i Punës Sociale.
Gjatë këtyre 100 ditëve, ministri Limani numëroi vënien e gurthemelit të disa kopshteve dhe rikonstruimin e shumë të tjerave. Ai shtoi se është punuar në mënyrë aktive për ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, proces ky i bllokuar prej 1 vit e gjysmë. Me këto ndryshime, Limani tha se do të hapet procesi i punësimit në kopshte, edhe atë për mbi 800 edukatorë, përkëdhelës, punonjës profesionalë dhe bashkëpunëtorë.
“Segment tjetër po aq i rëndësishëm është demografia. Plani i demografisë parashikon masa për nxitjen e lindshmërisë (natalitetit) dhe mbështetjes për çdo fëmijë të porsalindur dhe prindërit e tij, respektivisht rritjen e mbështetjes së njëhershme financiare për fëmijën e parë dhe të dytë si dhe ndihmën e njëhershme financiare për fëmijën e tretë e kështu me radhë”, shtoi Fatmir Limani, ministër i Punës Sociale.
Limani paralajmëroi mbështetje financiare për gratë që kanë nevojë të kryejnë in vitro, shtëpi për të rinjtë, mbështetje për kompanitë që do punësojnë nëna me tre ose më shumë fëmijë. Gjithashtu, ai tha se do të mbështesin personat që do të kthehen nga jashtë vendit përmes programit “Mirë se erdhët në shtëpi” si dhe parandalimin e “ikjes së trurit”. /Alsat.mk