Taravari: Organet kompetente ta hetojnë rastin e vdekjes së foshnjës 14-muajshe

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka konfirmuar pohimet e prindërve se foshnja 14-muajshe që ndërroi jetë një ditë më parë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup disa herë ishte refuzuar që të hospitalizohej nga ana e Klinikës dhe ishte kthyer për trajtim në shtëpi. Taravari tha se përgjegjësi patjetër se do të ketë për secilin që ka bërë lëshime në rastin e foshnjës 14 muajshe. Por, Taravari tha se nuk do të gjykoj askënd para se për të njëjtën të veprojnë organet e drejtësisë.

“Po, është kthyer. Për detaje të mëtutjeshme më lejoni që komisioni të konstatojë, mos pritni që unë të sjell vendime sepse është joracionale dhe jo e arsyeshme. Kjo mund të pritet prej një sistemi shëndetësor që është i devastuar dhe degjeneruar. Në detaje jam i informuar rreth gjithë asaj se çfarë ka ndodhur dhe patjetër se do të ketë përgjegjësi, por mos pritni prej meje sot të sillem si gjykatës dhe të sjell një vendim sepse më duhen detaje, më duhen organet kompetente të konstatojnë në qoftë se ka pasur gabim mjekësor dhe në bazë të asaj lënda të lëshohet në gjykatë dhe atje të sillet vendimi definituv për më tutje”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

Për humbjen e foshnjës 14 muajshe, familjarët shprehen të revoltuar ndaj pakujdesisë së mjekëve të caktuar në Klinikën e Fëmijëve të cilët nuk përfillën simptomat që për disa ditë i kishte shfaqur foshnja. Sipas familjarëve, pavarësisht që foshnja ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore ajo është refuzuar të shtrohet për trajtim nga ana e mjekëve të Klinikës. Është lëshuar për trajtim në shtëpi me arsyetimin e mjekëve se nuk bëhet fjalë për simptoma serioze. Madje, familjarët dyshojnë për fshirje të dosjes nga Klinika e Fëmijëve me qëllim të humbjes së dëshmive. Drejtori I Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi tha se për të gjitha dilemat rreth asaj se mund të ketë pasur lëshime në trajtimin e foshnjës do të përgjigjen institucionet përkatëse pasi të kenë ndërmarr të gjitha masat e duhura. Memedi tha se foshnja ka pasur gjendje të rëndë shëndetësore të përgjithshme në momentin që është transferuar nga Klinika “Kozle”. Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor (ISSH) Kiril Lazov tashmë ka deklaruar se do të bëjë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet shëndetësore ku më parë është trajtuar foshnja e ndjerë, për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë paralajmëruar se për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim, mbikëqyrja do të bëhet në prani të personave përgjegjës të objekteve shëndetësore, si dhe mjekëve që kanë marrë pjesë në ofrimin e mëparshëm të kujdesit shëndetësor. Në lidhje me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë do të iniciojë një komision për mbikëqyrje eksperte në të dyja institucionet shëndetësore. Ndërkaq sot familjarët i dhanë lamtumirën e fundit foshnjës 14-muajshe. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme